Secondary Adv

HEC i Vaut të Dejës drejt rehabilitimit të plotë, ndërhyrja do të rrisë prodhimin dhe të ardhurat

Pas më shumë se 53 vitesh funksionimi, HEC i Vaut të Dejës pritet t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, me synimin për rritje të prodhimit me rreth 7.9 për qind dhe të ardhura shtesë mbi 5.4 milionë euro në vit.

Pajisje të vjetruara dhe rrezik në rritje

Hidrocentrali i Vaut të Dejës, një nga veprat kryesore të sistemit energjetik shqiptar, ka funksionuar për më shumë se pesë dekada pa ndërhyrje thelbësore. Sipas një raporti teknik të publikuar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe të përgatitur në vitin 2023 nga konsulenti ndërkombëtar Fichtner, pajisjet elektromekanike janë të vjetruara dhe në disa raste në gjendje kritike.

 

Raporti thekson se, megjithëse impianti aktualisht funksionon normalisht, mungesa e masave rehabilituese rrit ndjeshëm rrezikun për defekte të papritura dhe ndërprerje të gjata të prodhimit në vitet e ardhshme. Për këtë arsye rekomandohet rehabilitim i plotë i hidrocentralit.

 

Projekti CONNECTA2 dhe mbështetja ndërkombëtare

Në vitin 2025, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur zbatimin e projektit CONNECTA2, i financuar nga KfW dhe Banka Evropiane e Investimeve. Projekti synon hartimin e strategjisë së rehabilitimit, analizën kosto-përfitim si dhe vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe klimë.

 

CONNECTA2 konsiderohet si vazhdim i drejtpërdrejtë i rekomandimeve të raportit të Fichtner, duke u mbështetur në gjetjet e tij për të përcaktuar prioritetet teknike dhe aspektet e sigurisë.

 

Rritje e prodhimit dhe të ardhurave

Sipas specialistëve të përfshirë në projekt, vlerësimi i pajisjeve po bazohet në dy parime kryesore: sigurinë e digës dhe garantimin e funksionimit të pandërprerë të hidrocentralit. Një nga përfitimet kryesore të rehabilitimit pritet të jetë rritja e rendimentit të prodhimit të energjisë falë teknologjisë më efikase.

 

Vlerësimet paraprake tregojnë se modernizimi mund të rrisë prodhimin me rreth 74 mijë MWh në vit, ose afro 7.9 për qind më shumë se mesatarja vjetore e regjistruar që nga viti 2007. Kjo do të përkthehej në të ardhura shtesë mbi 5.4 milionë euro në vit për sektorin energjetik.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat