Secondary Adv

Rekord fluturimesh në janar, rritje 115.7 për qind krahasuar me periudhën para pandemisë

Fluturimet komerciale po kthehen gjithnjë e më shumë në një tregues të drejtpërdrejtë të zhvillimit të turizmit dhe të dinamikës së lëvizjes së qytetarëve, si vendas ashtu edhe të huaj.

Rritja e numrit të fluturimeve reflekton jo vetëm shtimin e kërkesës për udhëtime, por edhe forcimin e lidhjeve ekonomike dhe turistike të një vendi me pjesën tjetër të botës. Në këtë kontekst, Shqipëria ka shënuar një ecuri mbresëlënëse vitet e fundit, duke tërhequr një interes në rritje nga vizitorët ndërkombëtarë dhe duke konsoliduar pozicionin e saj si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, në janar 2026 Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 115.7% të fluturimeve komerciale krahasuar me të njëjtin muaj të periudhës para pandemisë. Ky rezultat e vendos vendin në krye të renditjes jo vetëm në rajon, por në të gjithë Europën për ritmin më të lartë të rritjes në këtë tregues.

 

Një tjetër element domethënës është performanca e vendeve të rajonit, të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Pas Shqipërisë renditet Serbia me një rritje prej 56.7%, duke mbajtur vendin e dytë. Ndërkohë, edhe Bosnje dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut përfshihen mes pesë vendeve me rritjen më të lartë, me përkatësisht 52.4% dhe 48.5%, çka tregon një rimëkëmbje të përgjithshme të trafikut ajror në Ballkan. Ndërkohë Mali I Zi shënoi ulje me 4.6%.

 

Në nivel europian, pas Shqipërisë pozicionohet Islanda, e ndjekur nga Qipro me 41.3%, Malta me 38% dhe Greqia me 26.2%, vende që gjithashtu kanë përfituar nga rritja e kërkesës për udhëtime dhe turizëm.

 

Megjithatë, panorama nuk është pozitive për të gjitha shtetet. Sllovenia rezulton të jetë vendi me rënien më të madhe në kontinent, me një ulje prej 44.6% krahasuar me periudhën para pandemisë. Tendenca negative vijon edhe në vende të tjera si Suedia me -37.6%, Letonia me -30.9% dhe Gjermania me -27.9%.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat