Shqipëria rekord në Europë për makinat me naftë në 2024, 66 për qind e totalit
Shqipëria rezulton vendi me peshën më të madhe të makinave me naftë në regjistrimet për herë të parë të automjeteve të pasagjerëve për vitin 2024.

Kontrast i fortë me trendin europian që po largohet me shpejtësi nga ky lloj motori për arsye mjedisore.
Të dhënat e Eurostat, në publikimin e fundit për Transportin në Bashkimin Europian tregojnë se 66.2% e mjeteve të pasagjerëve që u regjistruan për herë në 2024-n në vend ishin me naftë, një peshë shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 14.9%. Vendi i dytë pas nesh është Moldavia, me 47% dhe Bosnjë Hercegovina me 34.5%. Në vendet e tjera të rajonit, regjistrimet e makinave me naftë përbënin më pak se 30% të totalit (nuk ka info për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut).
Në total, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 85.7 mijë mjete të pasagjerëve në 2024-n, nga të cilat 56.7 mijë ishin me naftë. Me benzinë ishin 17.6% e mjeteve, me peshën që është ndër më të ulëtat në Europë dhe me energji alternative 12.9%. Makinat elektrike përbënin vetëm 3.3% të totalit.
Tendenca është krejt e ndryshme nga çfarë po ndodh në Europë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në Europë po përshpejtohet tranzicioni drejt automjeteve elektrike dhe alternativave më pak ndotëse. Në vitin 2024, makinat plotësisht elektrike përbënin më shumë se gjysmën e regjistrimeve të reja në Danimarkë (51.3%) dhe mbi një të tretën në Maltë, Suedi dhe Holandë. Në nivel të BE-së, pjesa e tyre arriti në 13.5% të regjistrimeve të reja.
Europa po largohet nga nafta
Sipas Eurostat, një seri kohore e bazuar në të dhëna të disponueshme për të gjitha vitet nga 2014 deri në 2024 për 20 vende të BE-së tregon se si kanë ndryshuar llojet e energjisë së motorëve të makinave të reja të pasagjerëve.
Në këto vende, të cilat përbënin 93% të makinave të reja të pasagjerëve në BE në vitin 2024, numri i automjeteve me naftë (përfshirë hibridet) ra me 67%, ndërsa numri i automjeteve me benzinë (përfshirë hibridet) u rrit me 60%.
Për llojet alternative të energjisë së motorit, në vitin 2024 pati 45 herë më shumë regjistrime të makinave plotësisht elektrike me bateri krahasuar me vitin 2014, duke përfaqësuar përkatësisht 13.9% dhe 0.3% të të gjitha regjistrimeve të makinave të reja. Regjistrimet e automjeteve të reja që përdorin karburante të tjera alternative në vitin 2024 ishin 13% më të larta se në vitin 2014.
Ky transformim lidhet drejtpërdrejt me objektivat klimatike të BE-së. Transporti përbën rreth 27% të emetimeve totale të gazeve serrë në BE, ndaj politikat europiane synojnë një sistem transporti gjithnjë e më pa emetime.
Hendeku mes Shqipërisë dhe BE-së
Ndërsa Europa po investon në elektromobilitet, Shqipëria mbetet në një fazë shumë më të hershme të tranzicionit. Dominimi i makinave me naftë lidhet me disa faktorë strukturorë, si treg i dominuar nga importi i makinave të përdorura; kosto më të ulëta fillestare të automjeteve me naftë; mungesë infrastrukture të zhvilluar për karikimin elektrik; politika të kufizuara fiskale për nxitjen e automjeteve të gjelbra.
Megjithatë, trendi europian pritet të ndikojë gradualisht edhe tregjet e rajonit. Rregulloret e BE-së, rritja e standardeve të emetimeve dhe zgjerimi i infrastrukturës së karikimit do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë dominimin e automjeteve me naftë në afatmesëm.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






