Secondary Adv

2 muaj pezull, Këshilli i Imunitetit vendos sot fatin e Ballukut

Këshilli i Imunitetit mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, pas dy muajsh pezullim nga detyra.

Mbledhja në orën 10:00

Ditën e sotme, në orën 10:00, pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Çështja vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e saj nga detyra.

 

Fillimisht, socialistët kishin deklaruar se do të prisnin zbardhjen e plotë të vendimit të Kushtetueses dhe botimin e tij në Fletoren Zyrtare. Më herët, kryeministri Edi Rama kishte theksuar se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK, pasi Balluku ishte tashmë e pezulluar dhe e hetueshme pa pengesa funksionale.

 

Apeli i Komisionit Europian

Vendimi për mbledhjen e Këshillit erdhi disa ditë pasi Komisioni Europian, në një përgjigje për Report Tv, i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesa kërkesat për heqjen e imunitetit.

 

“Siç është theksuar edhe më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhej në reagimin e KE.

 

Çfarë nënkupton heqja e imunitetit

Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i hapte rrugë mundësisë së arrestimit, qoftë me burg, arrest shtëpie apo edhe kontroll banese. Për masa të tjera si marrja e pasaportës apo detyrim paraqitje, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar. Duke qenë se kjo javë është “javë e gjelbër”, raporti i Këshillit pritet të votohet në seancën plenare të 5 marsit.

 

Debati për ndryshimet ligjore

Në mbledhjen e 16 shkurtit të grupit parlamentar të PS, kryeministri Rama deklaroi se parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin dhe më pas për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, të cilat kërkojnë 84 vota.

 

Sipas ndryshimeve të propozuara, gjykata nuk do të mund të vendosë ndaj Presidentit, kryeministrit, zëvendëskryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH vetëm masën e pezullimit nga detyra. Megjithatë, këto ndryshime nuk kanë fuqi prapavepruese dhe nuk prekin masën e vendosur ndaj Ballukut.

 

Hetimet ndaj Ballukut

Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë lidhur me Tunelin e Llogarasë dhe është gjithashtu nën hetim për shtatë lote të Unazës së Madhe. Ndarja 4-4 e Gjykatës Kushtetuese bëri që të rrëzohej kërkesa e Ramës, duke lënë në fuqi pezullimin nga detyra.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat