Hyn në fuqi udhëzimi për rivlerësimin: Zbritje 1 për qind për çdo vit përdorimi për apartamentet
Udhëzimi i përbashkët i Ministria e Financave dhe ASHK hap zyrtarisht rivlerësimin e pasurive me tatim 5% dhe aplikim online.

Dy mënyra rivlerësimi: ASHK ose ekspert i licencuar
Procesi i rivlerësimit mund të kryhet në dy rrugë: pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK), ku përdoren çmimet minimale fiskale në fuqi, ose përmes një eksperti të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Rivlerësimi është vullnetar dhe mund të bëhet për çdo pasuri veçmas, edhe nëse pasuria është rivlerësuar më herët sipas ligjeve të mëparshme.
Si llogaritet baza tatimore dhe ulja 1% për vit përdorimi
Udhëzimi përcakton se baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nëse rivlerësimi bëhet nga ASHK, përdoret çmimi i referencës (çmimi minimal fiskal) dhe mbi të aplikohet një ulje prej 1% për çdo vit të plotë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Kjo zbritje aplikohet për të gjitha llojet e ndërtesave, por nuk mund të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës.
Për tokat, çmimi minimal fiskal merret për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi në datën e rivlerësimit.
Kur rivlerësimi bëhet nga ekspert, ka një kufi minimal
Nëse rivlerësimi kryhet nga ekspert i licencuar, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit dhe vlerës së zbritshme. Megjithatë, udhëzimi përcakton se vlera e ekspertit nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.
Çfarë është “vlera e zbritshme” dhe kur pasuria rezulton pa vlerë në regjistër
Vlera e zbritshme është vlera e pasurisë sipas aktit të fundit të regjistruar (blerje, shkëmbim, trashëgimi, dhuratë, heqje dorë, apo rivlerësim i mëparshëm), për të cilin është llogaritur dhe paguar tatimi. Në rastet kur pasuria rezulton e regjistruar pa vlerë, udhëzimi parashikon rregulla referuese për përcaktimin e vlerës së zbritshme, duke iu referuar parashikimeve të udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023.
Aplikimi bëhet online në e-Albania dhe lëshohet faturë brenda 2 ditëve pune
Procedura e aplikimit kryhet online përmes portalit e-Albania, ku individi plotëson të dhënat identifikuese të pasurisë dhe, nëse nuk i plotëson dot rubrikat e identifikimit, ngarkon dokumentin e pronësisë. Në rast se përdoret ekspert, bashkëngjitet edhe akti i vlerësimit i nënshkruar/vulosur elektronikisht dhe fotokopje e njësuar e licencës.
ASHK verifikon identifikimin e pasurisë dhe legjitimimin e aplikuesit si pronar/bashkëpronar. Nëse kushtet plotësohen, llogaritet tatimi dhe brenda 2 ditëve pune hartohet fatura elektronike për arkëtim, që i dërgohet aplikuesit në e-Albania.
Pagesa, konfirmimi dhe pasqyrimi në regjistra brenda 5 ditëve
Pas marrjes së faturës, individi kryen pagesën e tatimit të rivlerësimit dhe tarifës së shërbimit. ASHK konfirmon shlyerjen dhe pasqyron rivlerësimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Udhëzimi përcakton se data e rivlerësimit është data e pagimit të tatimit dhe se shënimet përkatëse duhet të kryhen brenda 5 ditëve nga verifikimi i pagesës.
Afatet: aplikim deri më 31 dhjetor 2026, pagesë deri më 31 mars 2027
Sipas udhëzimit, aplikimet për rivlerësim që paraqiten pranë ASHK-së deri më 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, mund të procedohen edhe pas kësaj date, me kusht që tatimi i rivlerësimit të paguhet brenda datës 31 mars 2027.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






