Pas administratës dhe mjekëve, rritje pagash 2.5 për qind për mësuesit dhe edukatorët
Projektvendimi i propozuar parashikon indeksim 2.5% të pagës bruto për punonjësit e arsimit parauniversitar, me efekte të llogaritura nga 1 janari 2026, duke përfshirë mësues, edukatorë kopshtesh, psikologë dhe oficerë sigurie.

Kush përfiton dhe si zbatohet rritja
Pas indeksimit të pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, policisë dhe mjekëve, e njëjta masë pritet të shtrihet edhe te sistemi parauniversitar. Përfitues do të jenë punonjësit mësimorë dhe jomësimorë, përfshirë mësuesit, edukatorët e kopshteve, punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë.
Indeksimi në masën 2.5% do të realizohet mbi pagën bruto, konkretisht mbi elementin “paga për pozicion” për çdo pozicion pune. Efektet e rritjes do të llogariten duke nisur nga 1 janari 2026.
Shtesa e vjetërsisë rritet automatikisht
Ashtu si në kategoritë e tjera të administratës, edhe te arsimi parauniversitar parashikohet që përveç indeksimit të pagës për pozicion të ruhet shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë. Duke qenë se “shtesa për vjetërsi në punë” llogaritet mbi pagën për pozicion, rritja e pagës bazë me 2.5% sjell automatikisht indeksim edhe për këtë komponent, duke e çuar rritjen e përgjithshme të pagës bruto mujore deri në 5.17%.
Rritje shtesë për një grup pozicionesh
Relacioni shpjegon se për disa profile në sistemin parauniversitar, si edukatorë, kujdestarë konvikti, mësues, punonjës psiko-social, oficerë sigurie, instruktorë dhe koordinatorë, të cilët aktualisht kanë “pagë për pozicion” nga 58,000 lekë në muaj deri në 74,000 lekë në muaj, parashikohet jo vetëm indeksimi 2.5%, por edhe një rritje e vlerës së pagës për pozicion. Sipas projektvendimit, kjo do ta çojë rritjen totale për këtë grup në rreth 3,000 lekë në muaj, ose 4 deri në 5.17% në total.
Ku bazohet projektvendimi dhe çfarë ndryshon
Rritja e pagave është e parashikuar në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, të propozuar nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Në projektvendim theksohet se indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, në masën 2.5%, dhe do të zbatohet për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të arsimit parauniversitar, në të njëjtën linjë me funksionarët, nëpunësit civilë dhe nëpunësit në institucionet e administratës publike.
Sa punonjës përfitojnë dhe kostoja mujore e llogaritur
Sipas relacionit, nga miratimi i projektvendimit përfitojnë rreth 36,390 punonjës mësimorë dhe jomësimorë.
Për rreth 30,000 punonjës mësimorë dhe punonjës psikologë/punonjës socialë dhe oficerë sigurie në institucionet arsimore të sistemit të arsimit parauniversitar, në varësi të Ministrisë së Arsimit, efektet llogariten rreth 114.5 milionë lekë në muaj për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Për 1,500 punonjës mësimorë të arsimit profesional, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, efektet llogariten rreth 6 milionë lekë në muaj për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Për 4,890 punonjës mësimorë të arsimit parashkollor, të qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, efektet llogariten rreth 16.7 milionë lekë në muaj për pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






