Secondary Adv

Bien importet që lidhen me investimet dhe konsumin në janar

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, përveç naftës, të gjitha grupet kryesore të mallrave shënuan rënie në sasi në janar, duke reflektuar një kërkesë të brendshme më të dobët.

Rritje minimale në total, rënie pa naftën

Sasia totale e mallrave të importuara arriti në rreth 455 mijë tonë në janar 2026, me një rritje modeste prej 0.2% krahasuar me janarin 2025. Megjithatë, duke përjashtuar naftën, pjesa tjetër e importeve shënoi rënie vjetore me 4%, duke sinjalizuar një fillim të zbehtë të vitit për kërkesën e brendshme.

 

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përveç grupit të mineraleve dhe lëndëve djegëse, të gjitha kategoritë e tjera ishin në rënie në sasi, duke reflektuar edhe efektin sezonal të muajve të dimrit, kur flukset turistike janë minimale.

 

Dobësohen mallrat që lidhen me investimet

Rënia më e theksuar është vërejtur te mallrat e lidhura me investimet. Importet e produkteve të drurit dhe letrës ranë me 15.4%, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet u tkurrën me 4.7%. Po në të njëjtin nivel, me 4.7% rënie, rezultuan edhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit, duke treguar një aktivitet më të ulët investimesh dhe prodhimi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Konsum i dobët në mungesë të turizmit

Dobësimi i konsumit është reflektuar edhe në mallrat e përdorimit të përditshëm. Në janar 2026, importet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 2.2%, ndërsa artikujt prej lëkure me 3.7%. Sasia e importeve të ushqimeve mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, duke treguar një kërkesë të qëndrueshme, por jo në rritje.

 

Ushqimet, pijet dhe duhani konsiderohen shpesh si tregues indirekt i konsumit të brendshëm. Në muajt e verës, kur rriten ndjeshëm flukset turistike, kjo kategori zakonisht shënon rritje dyshifrore, ndërsa në muajt e parë të vitit mbetet më e zbehtë.

 

Rritje vetëm te energjia

Kategoria e vetme me rritje të fortë ishte ajo e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, me 8.4% më shumë në sasi krahasuar me janarin e kaluar. Rimëkëmbja e importeve dhe e konsumit zakonisht pritet me afrimin e sezonit turistik, kur kërkesa e brendshme dhe aktiviteti ekonomik intensifikohen.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat