Secondary Adv

3.8 miliardë euro për rrugët në 2014–2026, fonde rekord por cilësia në kolaps

Shqipëria ka investuar rreth 370 miliardë lekë në infrastrukturën rrugore në 12 vite, por dëmtimet në akset e reja po ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë dhe menaxhimin e fondeve.

Fonde në rritje, kulmi në 2025

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për periudhën 2014–2025 dhe fondin e planifikuar për vitin 2026, investimet në infrastrukturën e transportit rrugor arrijnë në rreth 370 miliardë lekë, ose afërsisht 3.8 miliardë euro. Duke marrë si referencë kostot mesatare të përllogaritura nga Bashkimi Europian për vende si Shqipëria, me këtë shumë mund të ndërtoheshin rreth 350 kilometra autostradë e re e tipit A, që do të përshkonte vendin nga Vermoshi në Konispol.

 

Investimet janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Nga 24.4 miliardë lekë në vitin 2014, fondi arriti në 44.5 miliardë lekë në 2025. Pas vitit 2022, buxhetimi pothuajse u dyfishua, duke shënuar kulmin historik në 2025 me mbi 44 miliardë lekë. Vetëm në vitin 2024, vlera e investimeve arriti rreth 405 milionë euro.

 

Dëmtime në akset e reja

Megjithatë, pavarësisht shifrave rekord, në terren raportohen probleme serioze me cilësinë e punimeve. Në disa segmente të sapo-përfunduara janë shfaqur dëmtime strukturore të asfaltit pa u mbushur ende viti i parë i përdorimit. Kjo mospërputhje mes fondeve të larta dhe performancës së dobët të veprave ka ngritur dyshime mbi mbikëqyrjen teknike, standardet e materialeve dhe kontrollin e zbatimit.

 

Për vitin 2026 parashikohet një ulje e lehtë e fondeve në 35.4 miliardë lekë, por ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron te niveli i financimit, por te përgjegjshmëria teknike dhe cilësia e zbatimit. Sipas tyre, ekziston rreziku që miliardat e shpenzuara të kërkojnë fonde shtesë për riparime të parakohshme.

 

Debat mbi prioritetet

Një tjetër kritikë lidhet me orientimin e investimeve. Sipas analizave, përqendrimi i fondeve në projekte si Rruga e Arbrit, Tuneli i Llogorasë, segmenti Qukës–Qafë Thanë apo Korçë–Ersekë ka lënë pas dore zona me peshë të lartë ekonomike, si aksi Fushë-Krujë–Tiranë–Durrës–Rinas.

 

Shmangia për vite me radhë e projekteve në korridoret kryesore ndërkombëtare ka kufizuar potencialin e zhvillimit dhe ka rritur kostot për qendrën dhe veriun e vendit. Në këtë kontekst, debati nuk është vetëm mbi sasinë e fondeve, por mbi eficiencën, cilësinë dhe prioritetet strategjike të investimeve në rrugë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat