Kadastra sqaron si të aplikoni për rivlerësimin e pasurisë
ASHK publikoi udhëzimin për aplikimin online në e-Albania për rivlerësimin me tatim 5%, duke sqaruar hapat dhe tarifat e shërbimit.
Si bëhet aplikimi në e-Albania
Kadastra Shqiptare ka publikuar hapat që duhet të ndjekin individët për të aplikuar për rivlerësimin e pasurisë. Procesi nis me identifikimin në portalin qeveritar e-Albania dhe zgjedhjen e shërbimit “Rivlerësimi i Pasurisë”, ku aplikanti konfirmon se përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin.
Më pas zgjidhet pasuria që do të rivlerësohet dhe sistemi shton automatikisht edhe shërbimin “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”. Në vijim, ngarkohet dokumenti i pronësisë ose, në rast se rivlerësimi është kryer nga ekspert i licencuar, akti i ekspertimit dhe licenca përkatëse në format PDF. Në fund shfaqet tarifa minimale e shërbimit dhe aplikimi dërgohet përmes opsionit “Dërgo”.
Tarifat sipas nivelit të tatimit
ASHK sqaron se tarifa e shërbimit nuk është fikse, por përllogaritet në varësi të shumës së tatimit që rezulton nga rivlerësimi. Për tatim deri në 150,000 lekë, tarifa është 3,500 lekë. Për tatim nga 150,001 deri në 300,000 lekë, tarifa është 7,000 lekë, ndërsa për tatim mbi 300,001 lekë, tarifa arrin në 10,000 lekë.
Pas verifikimit të rivlerësimit, përfshirë rastet kur përdoret ekspert i licencuar, përcaktohet tarifa përfundimtare e shërbimit, e cila përfshihet në faturën që i dërgohet aplikantit në e-Albania.
Rivlerësimi me tatim 5 për qind
Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme tashmë zbatohet me tatim 5%, nga 15% që është aktualisht për kalimin e pronësisë. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës rregullon mënyrën e llogaritjes dhe procedurat për individët.
Individët mund të zgjedhin rivlerësimin pranë ASHK-së me çmimet minimale fiskale në fuqi, ose përmes një eksperti të licencuar. Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së re të pasurisë dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri në maksimum 30%, ndërsa për tokat merret si referencë çmimi minimal fiskal për metër katror sipas hartës së vlerave.
Në rastin e rivlerësimit nga ekspert i licencuar, vlera e përcaktuar nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal i parashikuar nga aktet në fuqi.