Secondary Adv

Rrëshqitja masive Librazhd–Prrenjas: Rrugë e re provizore, aktivizohen pika doganore për tregtinë

Institucionet njoftojnë ndërtimin e një rruge alternative përgjatë hekurudhës dhe përdorimin e pikave doganore për të garantuar qarkullimin e mallrave pas bllokimit të aksit strategjik.

ARRSH: Rrugë e re përgjatë hekurudhës

Në një konferencë të përbashkët, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, sqaroi se rrëshqitja në aksin Librazhd–Prrenjas u konstatua më 19 shkurt, duke prekur trupin e rrugës dhe urën. Fillimisht qarkullimi u kufizua në një korsi, ndërsa u kryen shpime dhe vlerësime të terrenit. Reshjet e shiut e përkeqësuan situatën dhe të shtunën rrëshqitja kishte avancuar me 30 centimetra në këmbën e urës, duke çuar në bllokim të plotë të segmentit.

 

Sipas tij, është vendosur ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit, deri në stabilizimin e zonës. Paralelisht do të bëhet prishja e urës ekzistuese tashmë jashtë funksioni, sistemimi dhe disiplinimi i ujërave si dhe devijimi i rrjedhës që godet trupin e hekurudhës. Kthimi i plotë i aksit do të bëhet vetëm pasi të garantohet siguria.

 

Hekurudha dhe studimet gjeologjike

Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, bëri të ditur se segmenti Elbasan–Pogradec nuk është aktualisht në funksion, por monitorohet vazhdimisht. Ai theksoi se masivi në zonë është aktivizuar edhe 30 vite më parë dhe se reshjet intensive të katër muajve të fundit, të kombinuara me rritjen e nivelit të lumit Shkumbin, kanë përshpejtuar rrëshqitjen.

 

Ndërkohë, Drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Ardian Bulyku, sqaroi se zona e Arrave të Gurrës përbëhet nga shkëmbinj copëzorë inerte, të njohur si mollasa, të cilët kanë tendencë të akumulojnë ujë gjatë reshjeve intensive. Sipas tij, reshjet kanë qenë trefishi i mesatares së dy viteve të fundit, duke shkaktuar mbingopje dhe cedim të strukturës. Shërbimi Gjeologjik do të kryejë 400–500 metra shpime lineare dhe analiza fiziko-mekanike për të dhënë rekomandimet përfundimtare.

 

Aktivizohen pikat doganore

Për të shmangur bllokimin e tregtisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besnik Beja, njoftoi përdorimin e pikave kufitare të Bllatës dhe Kakavijës për përpunimin e mallrave. Në Bllatë do të përpunohen mallrat që hyjnë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në Kakavijë ato që vijnë nga Greqia.

 

Pala maqedonase do të lejojë kalimin e kamionëve të ngarkuar nga ora 12:00 deri në 22:00 çdo ditë, ndërsa kamionët e pangarkuar në çdo orë. Megjithatë, në Bllatë nuk do të lejohet kalimi i produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe botëve të naftës, të cilat duhet të kalojnë përmes Kosovës. Doganat kanë paralajmëruar se do të informojnë vazhdimisht për çdo lehtësi shtesë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat