Secondary Adv

Nis demontimi i urës te Arrat e Gurrës, Konfindustria: Goditja më e rëndë për ekonominë

Demontimi i urës në Dragostunjë ka thelluar izolimin e Juglindjes, ndërsa Konfindustria paralajmëron pasoja të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

Ura jashtë funksionit, nis demontimi

Prej pesë ditësh Juglindja e vendit mbetet e izoluar pas rrëshqitjes masive në zonën “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas. Mëngjesin e kësaj të mërkure ka nisur zyrtarisht demontimi i urës së Dragostunjës, e cila u shkatërrua nga lëvizja e fuqishme e masivit të dheut që destabilizoi themelet dhe e nxori jashtë funksioni.

 

Sipas specialistëve në terren, zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë bërë të pamundur çdo ndërhyrje riparuese, duke e kthyer strukturën në një rrezik potencial për qarkullimin. Procesi i demontimit po kryhet me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, ndërsa terreni vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik.

 

Kriza e qarkullimit dhe devijimet

Shembja e urës ka përkeqësuar krizën e qarkullimit në këtë arterie strategjike, duke detyruar devijimin e trafikut në rrugë alternative rurale që nuk përballojnë fluksin e lartë të mjeteve. Komunitete të tëra janë izoluar përkohësisht, ndërsa autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një ure më të qëndrueshme, të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës.

 

Banorët dhe bizneset kërkojnë transparencë për afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë që të shmangë përsëritjen e situatave të ngjashme.

 

Konfindustria: Rrezik për ekonominë dhe sigurinë

Konfederata e Industrive të Shqipërisë reagoi duke e cilësuar situatën si goditjen më të rëndë në kohë paqe për ekonominë dhe sigurinë kombëtare. Sipas saj, shkatërrimi dhe mbyllja e aksit kombëtar drejt Korçës, që përkon me gjurmën e Korridorit 8, si dhe problematikat në akset ndihmëse, tunele dhe ura, kanë lënë pothuajse të shkëputur Juglindjen e vendit.

 

Konfindustria kërkon masa të jashtëzakonshme dhe të menjëhershme nga Qeveria dhe SPAK, duke paralajmëruar se zgjatja e krizës mund të sjellë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh dhe deri në falimentim për biznese dhe industri. Sipas saj, ekziston rreziku që qytetarët të drejtohen për furnizime në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, ndërsa në afatgjatë mund të dëmtohet pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm në korridorin Lindje–Perëndim.

 

Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat