Ministri Vengu: 18 mln euro për emergjencat, prioritet ndërhyrjet përgjatë lumit Shkumbin
Ministri i Mbrojtjes njoftoi rritje të fondit për investime në parandalimin e fatkeqësive natyrore, me fokus pritat dhe mbrojtjen përgjatë lumit Shkumbin.
18 milionë euro për investime dhe projekte të reja
Në një konferencë për shtyp, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se fondi për investime në funksion të parandalimit të fenomeneve natyrore arrin në 18 milionë euro. Sipas tij, 8 milionë euro janë në dispozicion për projekte në zbatim, përfshirë diga, ura dhe riparime infrastrukturore, ndërsa 10 milionë euro shtesë do të akordohen për bashkitë për projekte të reja, pas interesit të lartë dhe aplikimeve të shumta.
Ndër projektet konkrete që do të financohen plotësisht është rehabilitimi i urës së Glinës në Dropull. Ministri theksoi se një pjesë e konsiderueshme e financimit do të orientohet drejt pritave lumore përgjatë lumit Shkumbin, me synimin për të parandaluar rrëshqitjet e tokës dhe dëmtimet nga gërryerjet lumore në të ardhmen.
Forcat ushtarake në terren
Vengu deklaroi se reshjet e fundit kanë krijuar problematika në basenet e disa lumenjve në vend, ndërsa forcat ushtarake kanë qenë në terren për menaxhimin e situatës. Sipas tij, forcat xheniere janë angazhuar në hapjen e akseve të bllokuara nga rrëshqitjet në zonat rurale dhe në riparimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë ura dhe rrugë kalimi.
“Fatmirësisht, nga rrëshqitjet nuk janë shënuar viktima, ndërsa strukturat vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të shmangur çdo rrezik për jetën e qytetarëve”, u shpreh ministri.
Paketë kompensimi dhe shpërndarje sipas riskut
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka mbështetur bashkitë në përballimin e situatës, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Financave po hartohet një paketë kompensimi për dëmet në bujqësi dhe blegtori.
Sipas Vengut, fondi i kushtëzuar do të shpërndahet me një qasje të re, jo në mënyrë lineare, por mbi bazën e riskut dhe nevojave të bashkive me buxhete të kufizuara. Ai bëri të ditur se disa bashkive u janë dyfishuar fondet, duke krijuar më shumë hapësira financiare për përballimin e emergjencave.