Secondary Adv

Janari nis keq për turizmin, hyrjet e të huajve bien për herë të parë që nga pandemia

INSTAT raporton rënie 1.5 për qind të hyrjeve të të huajve në janar 2026, sinjali i parë negativ për turizmin që nga periudha e pandemisë.

552 mijë të huaj në janar, rënie 1.5 për qind

Viti 2026 ka nisur me një sinjal negativ për turizmin. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në janar hynë në vend 552.187 shtetas të huaj, me një rënie prej 1.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve bien në muajin janar që nga periudha e pandemisë.

 

Për krahasim, në janar 2025 hyrjet e të huajve u rritën me 14.5 për qind, ndërsa në vitin 2024 zgjerimi ishte afro 30 për qind. Pas vitit 2022, Shqipëria u shndërrua në një destinacion të preferuar turistik, me sezon të zgjatur përtej verës dhe me qytete si Tirana, Berati, Gjirokastra dhe Korça që tërhiqnin vizitorë edhe në muajt e parë të vitit.

 

Ndikimi i motit dhe çmimeve

Sipas aktorëve të tregut, moti i keq gjatë janarit ka kufizuar lëvizjet, ndërsa rritja e çmimeve të restoranteve dhe ushqimeve mund të ketë ndikuar negativisht në vendimin e turistëve për të vizituar vendin. Ndërkohë, akomodimi vijon të konsiderohet relativisht i lirë. Tendenca e ngadalësimit kishte nisur që në vitin 2025, kur hyrjet e të huajve u rritën me vetëm 6.6 për qind, niveli më i ulët që nga pandemia.

 

Të dhënat e plota të hyrje-daljeve

INSTAT njofton se gjatë janarit 2026 në territorin e Republikës së Shqipërisë hynë gjithsej 1.196.550 shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rritje 3.3 për qind krahasuar me janarin 2025. Nga ana tjetër, 1.343.073 shtetas shqiptarë dhe të huaj dolën nga territori, duke shënuar një rënie prej -1.3 për qind.

 

Hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 644.363, me rritje 7.8 për qind, ndërsa hyrjet e të huajve ranë në 552.187, me -1.5 për qind. Daljet e shtetasve shqiptarë ishin 740.160, me rritje 3.1 për qind, ndërsa daljet e të huajve 602.913, me rënie -6.2 për qind.

 

Sipas INSTAT, 98 për qind e hyrjeve të të huajve në janar 2026 kanë qenë për qëllime personale, tregues që ka shënuar rënie -1.4 për qind, ndërsa hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale janë ulur me -5.7 për qind. Evropa Jugore përbën 88 për qind të hyrjeve nga Evropa, ndërsa Evropa Perëndimore kontribuon me 6 për qind.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat