Bllokimi i Librazhd-Përrenjas, furgonat shtrenjtojnë çmimin e biletës deri 40 për qind
Devijimi i itinerareve pas bllokimit të aksit Librazhd–Përrenjas ka zgjatur kohën e udhëtimit dhe ka rritur çmimet e biletave deri në 40 për qind.
Udhëtimi zgjatet mbi 4 orë
Bllokimi prej pesë ditësh i aksit Librazhd–Përrenjas ka detyruar transportin ndërqytetës të ndryshojë itinerar, duke zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit. Nëse më parë rruga Tiranë–Korçë përshkohej për rreth 3 orë, aktualisht udhëtimi zgjat mbi 4 orë, në varësi të trafikut dhe ngarkesës në segmentet alternative.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Dashnor Memaj, tha se autobusët dhe furgonat vijojnë të operojnë drejt Korçës dhe Pogradecit përmes devijimit Elbasan–Cërrik–Gramsh–Maliq. Sipas tij, lëvizja drejt Përrenjasit është aktualisht e bllokuar, jo për mungesë rruge alternative, por për shkak të fluksit shumë të ulët të pasagjerëve.
Operatorët theksojnë se mjetet shpesh qarkullojnë me 3 ose 4 pasagjerë, ndërsa udhëtimi drejt Korçës është zgjatur me 1 orë deri në 1 orë e 20 minuta.
Rrugë alternative me kosto shtesë
Një pjesë e banorëve po përdorin itinerarin përmes Maqedonisë së Veriut, duke kaluar nga Tiranë–Klos–Bulqizë–Maqellarë–Dibër e Madhe–Strugë–Përrenjas. Kjo rrugë kërkon siguracion ndërkombëtar dhe, në rast se udhëtohet me fëmijë të shoqëruar vetëm nga një prind, edhe prokurë noteriale për kalimin kufitar.
Një tjetër alternativë kalon përmes zonave rurale, nga Spathari drejt Dardhës dhe më pas në Hotolisht, por segmenti malor me zhavorr dhe kthesa të forta e bën qarkullimin të vështirë dhe me rrezik.
Çmimet rriten deri 40 për qind
Vështirësitë në qarkullim kanë sjellë rritje të kostove për operatorët privatë. Për linjën Tiranë–Përrenjas, çmimi i biletës nga 500 lekë ka arritur në 1,000 lekë për mjetet private. Në disa raste, bileta për Tiranë–Korçë nga 700 lekë është rritur në 800, 900 apo deri në 1,000 lekë, ose deri 40 për qind më shumë se më parë.
Memaj sqaroi se nuk ka ndryshim zyrtar të çmimeve për linjat e rregullta, pasi ato përcaktohen me VKM nga Ministria e Infrastrukturës sipas kilometrave, megjithëse mund të ketë raste të izoluara abuzimi.
Masat dhe reagimi institucional
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi se institucioni është në mbështetje të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe në gatishmëri për përballimin e çdo emergjence, përfshirë ato mjekësore. Sipas tij, përmes një vendimi të Këshillit Teknik pritet ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e situatës.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se pas shembjes së urës te “Arrat e Gurrës”, është në fazë vendimmarrjeje ndërtimi i një aksi të ri, me fokus sigurinë dhe garantimin e aksesit në rast emergjencash.