Secondary Adv

Si do rivlerësohen ndërtesat e trashëguara dhe privatizuara

Ligji i ri u jep mundësinë qytetarëve me prona të trashëguara apo të privatizuara pa vlerë të regjistruar të kryejnë rivlerësim me tatim 5 për qind.

Si përcaktohet vlera e zbritshme

Ligji për rivlerësimin e pasurive parashikon që edhe banesat të cilat në certifikatën e pronësisë nuk kanë një vlerë të regjistruar, ose e kanë të shprehur në monedha të vjetra si franga ari apo napolona floriri, të mund të rivlerësohen me normë tatimore 5 për qind.

 

Sipas udhëzimit, për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara në Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk kanë vlerë të regjistruar, si dhe për ato të privatizuara me ligjin e vitit 1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, si vlerë e zbritshme merret kostoja e shfrytëzimit për metër katror e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë.

 

E njëjta formulë zbatohet edhe për ndërtesat e përfituara me trashëgimi, dhuratë apo heqje dorë, kur në regjistrim nuk ekziston një vlerë e pronës. Në këto raste përdoret kostoja e shfrytëzimit për metër katror në datën e regjistrimit të aktit përkatës.

 

Shembull praktik i llogaritjes

Kostoja mesatare e shfrytëzimit për metër katror përditësohet çdo vit. Nëse merret si shembull një apartament 80 m2 në Tiranë, i regjistruar në vitin 1999, me kosto mesatare 251 euro/m2, vlera e zbritshme rezulton rreth 20 mijë euro.

 

Nëse kjo banesë ka sot një vlerë tregu prej 80 mijë euro, rivlerësimi do të bëhet mbi diferencën mes vlerës së re dhe vlerës së zbritshme, pra mbi 60 mijë euro. Tatimi 5 për qind mbi këtë diferencë përkthehet në 3 mijë euro, ndërsa prona regjistrohet me vlerë finale 80 mijë euro.

 

Pse konsiderohet emergjent rivlerësimi

Sipas ekspertëve të tregut imobiliar, kjo kategori qytetarësh e ka më të nevojshme kryerjen e rivlerësimit, sidomos nëse në të ardhmen planifikohet tjetërsimi i pronës. Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA, thekson: “Kushdo që nuk ka një vlerë tregu në kartelën e pasurisë, siç janë prona të fituara nga procesi i privatizimit, trashëgimitë, etj., duhet bërë rivlerësimi sepse nëse do duhet të kryhet një tjetërsim prone, do ta kenë shumë të vështirë. Rivlerësimi nuk është kosto, por investim. Pronat do të kenë vlerë të shtuar në vitet e ardhshme”.

Qytetarët mund të aplikojnë për rivlerësimin e pasurisë deri më 31 dhjetor 2026.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat