Secondary Adv

Indeksi / Stabilitet i moderuar, institucione nën presion, ku renditet Shqipëria në hartën globale

Indeksi i Brishtësisë 2026 e rendit Shqipërinë stabile, por me institucione nën presion.

Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, Shqipëria vijon të qëndrojë jashtë hartës së shteteve në krizë, por pa arritur ende në zonën e sigurisë së plotë. Indeksi i Brishtësisë së Shteteve 2026, i publikuar nga The Fund for Peace, e rendit vendin në grupin e shteteve me stabilitet të moderuar, një pozicion që tregon përparim të dukshëm krahasuar me dy dekada më parë, por edhe kufizime institucionale dhe ekonomike që frenojnë qëndrueshmërinë afatgjatë.

 

Avantazhe strukturore, por dobësi në qeverisje

Shqipëria përfiton nga mungesa e konflikteve të armatosura, kohezioni social relativisht i qëndrueshëm dhe orientimi i qartë euroatlantik. Megjithatë, indeksi e penalizon vendin për problematika që lidhen me cilësinë e qeverisjes, efikasitetin institucional, perceptimin e korrupsionit dhe presionet ekonomike mbi shtresat më të ndjeshme të popullsisë. Këta faktorë e mbajnë Shqipërinë në një zonë “kujdesi”, larg emergjencës, por edhe larg standardeve të vendeve me kapacitete të forta shtetërore.

 

Rajoni dhe diferenca me BE-në

Në krahasim me rajonin, Shqipëria paraqitet më mirë se disa vende të Ballkanit Perëndimor që përballen me fragmentim institucional dhe tensione politike më të theksuara. Megjithatë, ajo mbetet pas vendeve të Bashkimit Europian, të cilat dominojnë zonën e gjelbër të hartës, që përfaqëson shtete me elasticitet të lartë ndaj krizave. Hendeku me BE-në reflekton diferencat në sundimin e ligjit, cilësinë e institucioneve dhe aftësinë për të përthithur goditje ekonomike apo sociale.

 

Presionet ekonomike dhe emigracioni

Në plan ekonomik, indeksi evidenton si faktorë rreziku presionet mbi punësimin, emigracionin e vazhdueshëm dhe pabarazitë rajonale. Edhe pse rritja ekonomike mbetet pozitive, ajo nuk përkthehet në mënyrë të barabartë në rritje të mirëqenies dhe të besimit qytetar ndaj shtetit, element kyç në metodologjinë e Indeksit të Shteteve të Brishta.

 

Një sinjal i dyfishtë për integrimin

Në nivel global, Indeksi 2026 tregon një botë më të polarizuar, me më shumë shtete që lëvizin drejt zonave të verdha dhe portokalli për shkak të konflikteve dhe krizave të qeverisjes. Në këtë panoramë, Shqipëria mbetet relativisht stabile, por me sfida të brendshme që kërkojnë adresim sistematik. Për ekonominë dhe perspektivën e integrimit europian, pozicioni aktual është një sinjal i dyfishtë: konfirmon largimin nga krizat kronike, por thekson nevojën për reforma të thelluara në drejtësi, administratë publike dhe klimë biznesi për të kaluar nga stabiliteti i brishtë drejt qëndrueshmërisë së konsoliduar.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat