Afterschool në 30 shkolla të Tiranës, drekë falas dhe orar i zgjatur deri në 16:00
Programi pilot zgjat qëndrimin në shkollë dhe ofron ushqim falas për klasat 1-5.
Nga viti i ardhshëm shkollor pritet të nisë në Tiranë një program pilot pas-shkollor i quajtur “Afterschool”, i cili do të zbatohet në 30 institucione arsimore 9-vjeçare. Projekti parashikon zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në ambientet shkollore deri në orën 16:00 dhe ofrimin e drekës falas, të financuar nga pushteti lokal. Në listën e shkollave përfshihen institucione në qendër të kryeqytetit si “Emin Duraku”, “Konferenca e Pezës” dhe “Sabaudin Gabrani”, si edhe shkolla në periferi si “Pal Engjëlli” dhe “Ibrahim Brahja”.
Përfitues nxënësit e klasave 1-5
Programi do të përfshijë vetëm nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe synon të ofrojë mbështetje shtesë arsimore për familjet pas përfundimit të mësimit zyrtar. Shkollat janë përzgjedhur kryesisht mbi bazën e rikonstruksionit dhe përmbushjes së kushteve për ofrimin e ushqimit brenda godinave. Prindërve u është shpërndarë një formular ku shprehin dakordësinë ose jo për përfshirjen e fëmijëve në projekt, përfshirë konsumimin e drekës falas dhe qëndrimin e zgjatur në shkollë.
Vendimi sipas interesit të prindërve
Në varësi të numrit të lejeve të dhëna nga familjarët, do të vendoset përfundimisht nëse një shkollë do të jetë pjesë e listës përfundimtare. Sipas projektit, nxënësit do të qëndrojnë në një mjedis të sigurt dhe të mbikëqyrur nga stafi arsimor, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen pas orarit mësimor. Nisma shihet si një vazhdimësi e konceptit “shkolla si qendër komunitare” dhe si përgjigje ndaj kërkesave të prindërve që shpesh detyroheshin të linin punën për të marrë fëmijët në mesditë.
Pjesë e programit “Shqipëria 2030”
Projekti “After School” është pjesë e programit qeverisës “Shqipëria 2030”, i cili parashikon zgjerimin e numrit të shkollave që ofrojnë drekë falas, të paktën në çdo bashki qendër qarku, brenda mandatit të katërt të socialistëve.