Secondary Adv

Sfida klimatike, duhen 2.3 miliardë USD për të mbrojtur infrastrukturën

Plani 2026-2036 parashikon investime masive për rrugë, hekurudha dhe porte.

Sektori i transportit konsiderohet ndër më të ekspozuarit ndaj rreziqeve klimatike, sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) 2026–2036. Dokumenti strategjik synon të mbrojë ekonominë dhe infrastrukturën nga përmbytjet, rrëshqitjet e tokës, erozioni dhe rritja e nivelit të detit, ndërsa valët e të nxehtit po shtojnë presionin mbi rrjetet ekzistuese. Aktualisht, transporti rrugor mbetet forma dominuese e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, ndërsa hekurudha përfaqëson më pak se 1% të trafikut të pasagjerëve.

 

Investime me kosto 2.3 miliardë dollarë

Plani parashikon shtatë masa prioritare për sektorin e transportit, me një kosto të vlerësuar rreth 2.3 miliardë dollarë, ose 21% të buxhetit total të nevojshëm për zbutjen e pasojave të klimës. Masat përfshijnë vlerësime të rregullta të rrezikut për rrugët, përdorimin e zgjidhjeve bio-inxhinierike për të parandaluar përmbytjet dhe rrëshqitjet, si dhe zhvillimin e mobilitetit urban të qëndrueshëm. Qëllimi është ndërtimi i një infrastrukture rezistente ndaj klimës, që rrit sigurinë dhe mbështet zhvillimin ekonomik afatgjatë.

 

Rilindja e hekurudhës dhe roli i porteve

Në vitin 2021 ishin funksionale vetëm 224 kilometra hekurudhë, me shërbime të kufizuara dhe shpejtësi të ulëta. Projekte si linja Tiranë–Durrës me lidhje me aeroportin dhe nismat e propozuara drejt Kosovës dhe Greqisë synojnë rigjallërimin e rrjetit dhe zhvillimin e transportit me emetime të ulëta. Transporti detar mbetet jetik për tregtinë, duke realizuar rreth 70% të eksporteve dhe mbi gjysmën e importeve. Porti i Durrësit përpunon 92% të mallrave, ndërsa Vlora, Shëngjini dhe Saranda janë pika strategjike për zgjerimin e sektorit.

 

Sfida në zbatim

Megjithëse Shqipëria ka hartuar një plan të detajuar për përballimin e rreziqeve klimatike, institucionet ndërkombëtare kanë theksuar sfidat në zbatimin praktik të strategjive. Me këtë dokument, vendi synon të harmonizojë prioritetet kombëtare me objektivat globale të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, në një kohë kur presioni mbi infrastrukturën dhe ekonominë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat