Shembja në Librazhd–Përrenjas, riparimi mund të zgjasë deri në një vit
Ekspert i ARRSH: Dëmtimi kërkon studim të ri gjeoteknik dhe ndërhyrje të thelluara.
Shembja në aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, pranë fshatit Dragostunjë, pritet të kërkojë disa muaj punë për t’u stabilizuar dhe riparuar, nëse ndiqen procedurat dhe standardet në fuqi. Një inxhinier i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), që preferoi të mbetet anonim, e cilësoi dëmtimin si më seriozin e ndodhur së fundmi, duke theksuar se problemi nuk prek vetëm sipërfaqen e rrugës, por të gjithë masivin ku ajo mbështetet.
Dy variante, por të dyja kërkojnë kohë
Sipas specialistit, ekzistojnë dy zgjidhje: ndërtimi i një viadukti të ri, që kërkon ndryshim të plotë projekti dhe kohë të gjatë, ose gërryerja deri në themele e masës së dheut të shembur dhe ndërtimi i një traseje të re. Kompania ANK, e kontraktuar për punimet, po shqyrton variantin e dytë, por volumet e mëdha të dheut të rrëshqitur dhe kompleksiteti i terrenit e bëjnë procesin të zgjatur. Mund të hapet një kalim emergjent, por ai nuk do të ishte i sigurt për automjete të rënda.
Ndërhyrjet e fundit dhe destabilizimi
Sipas vlerësimeve paraprake teknike, rrëshqitja është e induktuar dhe lidhet me ndërhyrjet për segmentet e autostradës së Korridorit VIII. Eksperti shpjegon se punimet kanë rënduar masivin shkëmbor dhe kanë krijuar presion shtesë mbi strukturën e rrugës, ndërsa përdorimi i materialit lumor për mbushje ka gërryer bazat, duke destabilizuar terrenin. Ura e ndërtuar në vitin 1997 ishte në gjendje të mirë përpara nisjes së këtyre ndërhyrjeve.
Nevojiten studime të reja dhe ndërhyrje gjeoteknike
Për zgjidhjen e plotë kërkohet studim i ri gjeologjik dhe gjeoteknik, me analiza të thelluara mbi lëvizjen e masivit, ujërat nëntokësore dhe stabilitetin afatgjatë të shpatit. Parashikohen mure mbajtëse të thelluara, pilota, sistem i ri drenazhimi ose edhe devijim i pjesshëm i trasesë. Terreni malor dhe formacionet e paqëndrueshme e komplikojnë procesin, ndërsa procedurat për fonde dhe tenderim mund të zgjasin. Në rastin më optimist, riparimi mund të kërkojë nga 6 muaj deri në një vit.
Një segment me histori të gjatë
Segmenti Librazhd–Qukës, 25 kilometra i gjatë, u përfundua në vitin 2001 nga kompania Mavrovo, me mbikëqyrje nga kompania italiane Lotus. Edhe pse nuk ka pasur mirëmbajtje rutinë sipas standardeve, rruga dhe ura e shembur konsideroheshin në gjendje shumë të mirë para nisjes së punimeve për Korridorin VIII.