Rriten çmimet e prodhimit në Kosovë, energjia elektrike mbi 20 për qind më shtrenjtë
IÇP u rrit 5,4% në baza vjetore, me energjinë si faktori kryesor.
Çmimet e prodhimit në Kosovë vijuan rritjen në fund të vitit 2025, duke reflektuar presionet nga energjia dhe kostot në sektorin industrial. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i çmimeve të prodhimit (IÇP) u rrit me 0,1% në tremujorin e katërt 2025 krahasuar me tremujorin e tretë, ndërsa në baza vjetore shënoi rritje mesatare prej 5,4%.
Lëvizje të përziera në tremujor
Gjatë tremujorit të katërt, rritjet më të theksuara u regjistruan në prodhimin e letrës dhe produkteve prej letrës me 3,2%, makinerive dhe pajisjeve me 2,3%, produkteve prej druri me 2,1% dhe shtypjen e mediave të incizuara me 1,1%. Sektori i energjetikës, përfshirë energjinë elektrike, gazin dhe avullin, u rrit me 0,2%. Nga ana tjetër, prodhimi i metaleve ra me 3,7%, ndërsa ulje pati edhe në trajtimin e mbeturinave me 1,2%, mobiliet me 0,3% dhe produktet ushqimore me 0,7%.
Energjia nxit rritjen vjetore
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, rritja prej 5,4% u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, që u rritën me 20,9%. Rritje të konsiderueshme u shënuan edhe në prodhimin e mjeteve motorike me 9,0%, veshjeve me 8,6%, produkteve farmaceutike me 8,1%, makinerive me 7,6% dhe prodhimin e letrës me 6,2%.
Sektorë me rënie çmimesh
Pavarësisht trendit rritës, disa degë të industrisë vijojnë të përballen me ulje çmimesh. Prodhimi i metaleve shënoi rënie vjetore prej 11,6%, ndërsa trajtimi i mbeturinave u ul me 4,4%. Të dhënat tregojnë se presionet në sektorin energjetik mbeten faktori kryesor që ndikon mbi çmimet e prodhimit, ndërsa industria përpunuese paraqet zhvillime të përziera.