Secondary Adv

Kredia për prona e dhënë po i afrohet vlerës së pesë miliardë eurove

Ekspozimi i bankave në pasuri të paluajtshme arrin 460 mld lekë.

Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 460 miliardë lekë, ose rreth 4.75 miliardë euro, në fund të vitit 2025. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për prona u rrit me 15.6% gjatë vitit, duke përbërë tashmë më shumë se gjysmën e totalit të kredisë për sektorin privat.

 

Individët kryesojnë rritjen

Pjesa më e madhe e portofolit i përket individëve, me rreth 53% të totalit, ndërsa 47% është kredi për biznese. Gjatë vitit 2025, segmenti i individëve u zgjerua me 16.7%, ndërsa kreditimi për bizneset në pasuri të paluajtshme u rrit me 14.3%. Që nga fillimi i vitit 2020, portofoli i kredisë për prona është rritur me 122%, duke reflektuar rolin e financimit bankar në mbështetjen e kërkesës në tregun imobiliar.

 

Rreziqet nga ekspozimi i lartë

Në shumicën e rasteve, këto kredi janë të siguruara me kolateral në formën e vetë pronës së blerë. Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të rrite rreziqet për bankat. Në mesin e vitit 2025, kreditë me kolateral pasuri të paluajtshme përbënin 46% të tepricës së kredisë dhe rreth 61% të totalit të kredisë së kolateralizuar.

 

Kufizime për huatë e reja

Për të frenuar rritjen e shpejtë të huasë, Banka e Shqipërisë vendosi kufizime për standardet e kredidhënies. Raporti maksimal kredi ndaj vlerës për kreditë në lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për të dytën, ndërsa në valutë 75% dhe 70%. Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave është 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për të dytën në lekë, ndërsa në valutë 35% dhe 30% respektivisht. Për shkak të rritjes së kreditimit, u aplikua edhe shtesa kundërciklike e kapitalit, fillimisht 0.25% nga 30 qershori 2025 dhe më pas 0.5% nga 31 dhjetori 2025.

Megjithatë, efektet e masave kufizuese kanë qenë të kufizuara dhe kredia për prona vijoi të rritet me ritme dyshifrore gjatë vitit 2025.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat