Secondary Adv

Kriza në Lindjen e Mesme shkakton kaos në udhëtime e tregti, Shqipëria pa ndikim në trafikun ajror

Tensionet prekin transportin detar, aviacionin dhe tregjet e energjisë.

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme po shkakton pasoja të drejtpërdrejta në transportin ajror, rrugët detare dhe tregtinë globale të energjisë. Sipas raportimeve të Reuters, kompani të mëdha transporti dhe linja ajrore po ndryshojnë itineraret dhe po përballen me kosto më të larta operimi, ndërsa pasiguritë po shtojnë presionin mbi çmimet dhe zinxhirët e furnizimit.

 

Devijime në transportin detar

Në transportin detar, vëmendja është përqendruar te Deti i Kuq dhe ngushtica Bab el-Mandeb, ku kalon rreth 12% e tregtisë globale dhe 8–10% e naftës së transportuar me rrugë detare. Kompani si Maersk, Hapag-Lloyd dhe MSC kanë devijuar flotat përreth Kepit të Shpresës së Mirë, duke zgjatur udhëtimet me 10–15 ditë dhe duke rritur kostot e karburantit dhe sigurimit. Trafiku në Kanalin e Suezit ka rënë ndjeshëm, ndërsa kërkesa për anije cisternë është shtuar, duke ndikuar në rritjen e kostove të transportit të naftës dhe LNG-së.

 

Kufizime në aviacion

Linja ajrore si Lufthansa, Air France-KLM dhe British Airways kanë pezulluar ose kufizuar fluturimet mbi zonat e konfliktit dhe kanë rishikuar itineraret drejt Azisë, duke zgjatur disa fluturime deri në 90 minuta. Agjencia Europiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka lëshuar paralajmërime për rreziqet në hapësirën ajrore të Lindjes së Mesme. Më 1 mars 2026, në Qipro u anuluan 48 fluturime, 36 në Larnakë dhe 12 në Pafos, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të krizës në një nyje strategjike ajrore mes Europës dhe Lindjes së Mesme.

 

Rreziqet për tregjet e energjisë

Në tregjet e energjisë, shqetësimi kryesor lidhet me ngushticën e Hormuzit, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Analistët paralajmërojnë se çdo ndërprerje do të ndikonte menjëherë në çmimet ndërkombëtare, ndërsa primet e sigurimit për anijet cisternë janë rritur, duke shtuar paqëndrueshmërinë në tregje.

 

Shqipëria pa probleme në trafikun ajror

Pavarësisht situatës, fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kanë vijuar normalisht. Sipas të dhënave zyrtare, nisjet dhe mbërritjet janë kryer sipas planifikimit. Nga Rinasi operohen kryesisht destinacione europiane që nuk janë prekur nga konflikti, ndërsa fluturimet drejt Qipros janë sezonale dhe pritet të rinisin në prill, sipas planifikimit të Wizz Air.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat