Secondary Adv

Ekonomia mbetet pesimiste edhe në shkurt, bie besimi i ndërtimit, befason me rritje industria

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike ra në 107.6 pikë, por mbetet mbi mesataren historike.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi rënie edhe në shkurt 2026, duke zbritur në 107.6 pikë, 2.5 pikë më pak se në janar, sipas “Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit” të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, niveli aktual vijon të qëndrojë 7.6 pikë mbi mesataren historike, çka tregon se klima e besimit mbetet në territor pozitiv, por me sinjale të lehta ngadalësimi.

 

Industria në rritje, ndërtimi në rënie

Industria ishte sektori që befasoi pozitivisht, me Treguesin e Besimit në Industri (TBI) që u rrit me 1.5 pikë përqindje. Përmirësimi lidhet me vlerësime më optimiste për kontratat porositëse, përfshirë ato nga eksportet, si dhe me pritje më të mira për prodhimin dhe punësimin. TBI qëndron rreth 10 pikë përqindje mbi mesataren historike, duke konfirmuar që industria mbetet ndër sektorët më rezistentë.

 

Në të kundërt, ndërtimi shënoi rënien më të fortë mujore. Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) ra me 6.5 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësime më të dobëta për aktivitetin dhe porositë aktuale. Edhe pse në rënie, TBN mbetet rreth 12 pikë mbi mesataren afatgjatë, ndërsa pritjet për çmimet janë në rritje, duke reflektuar presione të mundshme kostosh.

 

Shërbimet dhe tregtia në tkurrje

Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) u ul me 1.9 pikë përqindje, si pasojë e rënies së aktivitetit dhe kërkesës. Edhe ky sektor mbetet rreth 12 pikë mbi mesataren historike. Ndërkohë, Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) ra me 3.6 pikë përqindje, i ndikuar nga pritje më pak optimiste për punësimin dhe ecurinë e biznesit, megjithëse vazhdon të qëndrojë rreth 10 pikë mbi mesataren.

 

Konsumatorët më të kujdesshëm

Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) mbeti pothuajse i pandryshuar, rreth 1.1 pikë mbi mesataren historike. Konsumatorët kanë ulur pritjet për financat personale, por kanë përmirësuar perceptimin për ekonominë në të ardhmen. Pritjet për inflacionin dhe papunësinë në 12 muajt e ardhshëm janë rishikuar në rënie, ndërsa vlerësimet për blerjet e mëdha mbeten negative, duke reflektuar kujdes të vazhdueshëm në shpenzime.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat