Pas 10 ditësh bllokim, hapet sot rruga alternative në aksin Librazhd–Përrenjas
ARRSH njofton rikthimin e qarkullimit në segmentin “Arrat e Gurrës”.
Aksi Librazhd–Përrenjas, i bllokuar që prej 21 shkurtit pas shembjes së urës në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës”, pritet të rikthehet sot në funksion përmes një rruge alternative. Bllokimi ka krijuar vështirësi të shumta për qytetarët dhe transportin e mallrave, duke ndërprerë një nga lidhjet kryesore rrugore në zonë.
Rrugë e re 1.3 kilometra
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se më 3 mars, në orën 12:00, do të hapet për qarkullim segmenti i ri alternativ. Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, deklaroi se pas ndërhyrjes intensive me mjete dhe punëtorë të shtuar, është bërë e mundur ndërtimi i një segmenti rreth 1.3 kilometra të gjatë, pranë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin.
Akses për të gjitha mjetet
Segmenti i ri do të jetë i aksesueshëm për të gjitha kategoritë e mjeteve, nga automjetet e vogla deri te kamionët, duke lehtësuar qarkullimin deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës në këtë aks rrugor.