Raporti, Bashkia Durrës mes institucioneve më pak transparente në vend
Indeksi 2025 e rendit Durrësin në grupin me transparencë të ulët.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka publikuar rezultatet e monitorimit të transparencës proaktive për 61 bashki dhe 12 këshilla qarqesh. Sipas raportit, Bashkia Durrës, një nga njësitë më të mëdha vendore në vend, renditet mes institucioneve me nivel të ulët transparence në “Indeksin NjVV 2025”.
Si matet transparenca
Vlerësimi është realizuar mbi bazën e 16 treguesve kryesorë që matin publikimin dhe përditësimin e informacionit në faqet zyrtare dhe zbatimin e Programit të Transparencës. Institucionet me 13–16 pikë konsiderohen me transparencë të lartë, ato me 9–12.5 pikë me transparencë mesatare, 5–8.5 pikë me transparencë të ulët dhe 0–4.5 pikë me transparencë minimale.
Rënie e lehtë e autoriteteve me transparencë të lartë
Krahasuar me vitin 2024, numri i autoriteteve me transparencë të lartë ka rënë nga 30 në 28. Listën e kryesojnë Divjaka, Klosi, Mirdita dhe Shijaku me 16 pikë secila, ndërsa Bashkia e Tiranës renditet me 14.5 pikë. Në skajin tjetër, Bashkitë e Kavajës, Dimalit, Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt figurojnë me vetëm 2 deri në 4 pikë.
Durrësi në grupin me transparencë të ulët
Në kategorinë me transparencë të ulët, ku numri i institucioneve ka zbritur nga 13 në 8, përfshihet edhe Bashkia Durrës, së bashku me Pukën, Fierin, Krujën, Këshillin e Qarkut Dibër, Tepelenën, Këlcyrën dhe Gjirokastrën, me 6–8.5 pikë. Raporti thekson se disa autoritete nuk kanë reflektuar në kohë përditësimet e nevojshme në Programin e Transparencës apo në faqet zyrtare, pavarësisht praktikave të mëparshme pozitive.