Secondary Adv

Salla: Skema e re për fermerët prezantohet javën e ardhshme, prioritet bletaria dhe blegtoria

Ministri Andis Salla paralajmëron ndryshime në mbështetje, me fokus sigurinë ushqimore dhe formalizimin.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, raportoi në Komisionin për Bujqësinë se Skema e re Kombëtare e Mbështetjes është në fazë përmbyllëse dhe do të prezantohet brenda javës së ardhshme. Paketa vjen pas 23 takimeve në të 12 qarqet e vendit me fermerë, blegtorë, bletarë dhe përpunues, ku janë mbledhur propozime për rishikimin e prioriteteve dhe thjeshtimin e procedurave.

 

5.5 miliardë lekë mbështetje në 2025

Gjatë vitit 2025 janë akorduar rreth 5.5 miliardë lekë për mbi 65 mijë përfitues. Megjithatë, sipas ministrit, nevojitet fokus më i madh te blegtoria dhe bletaria, sektorë që konsiderohen jetikë për zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.

 

Bletaria, objektiv 1 milion koshere

Numri i koshereve është dyfishuar në pesë vitet e fundit, nga rreth 300 mijë në vitin 2020 në mbi 600 mijë në 2025. Fermerët kanë kërkuar rritjen e mbështetjes nga 1.000 në 2.000 lekë për koshere, ndërsa objektivi është arritja e 1 milion koshereve deri në vitin 2027. Paralelisht do të forcohet rimbursimi 10% përmes autofaturave, duke lidhur subvencionet me formalizimin e aktivitetit.

 

Mbështetje për të rinjtë dhe sigurinë ushqimore

Në blegtori, të rinjtë do të përfitojnë nga 7 deri në 10 mijë euro për investime, me synim rritjen e krerëve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Në sera, synohet rritja e mbështetjes për mbrojtjen biologjike nga 50% në 70% të faturës, ndërsa përfshirja e sipërfaqeve në këtë skemë pritet të zgjerohet nga 10% aktualisht në 30–40%. Vetëm vitin e kaluar janë eksportuar mbi 330 mijë ton produkte nga serat.

 

Investime dhe akuakulturë

Në kuadër të grantit 50%, pranë AZHBR-së janë dorëzuar mbi 800 projekte me një buxhet rreth 3 miliardë lekë, ndërsa lista e përfituesve do të publikohet së shpejti. Akuakultura detare dhe ajo në ujërat e brendshme pritet të marrë mbështetje të shtuar në paketën e re.

 

Ministri theksoi se skema nuk do të ndryshohet çdo vit në mënyrë të fragmentuar, por do të reflektojë realisht nevojat e terrenit, duke hapur një fazë të re financimi për sektorët prioritarë të bujqësisë.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat