Transporti i mallrave rrit tarifat deri në 10 për qind pas konfliktit në Lindjen e Mesme
Shtrenjtimi i naftës në tregjet ndërkombëtare po reflektohet menjëherë në kostot e transportit dhe pritet të ndikojë edhe çmimet në tregun vendas.
Kompanitë e transportit të mallrave në Shqipëri kanë nisur të rrisin tarifat pas rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, e shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme. Operatorët raportojnë se nga kjo javë tarifat janë rritur nga 6 deri në 10 për qind, si pasojë e furnizimeve me karburant me çmime më të larta.
Tarifat në transportin rrugor rriten 6–7%
Kompanitë e transportit rrugor të mallrave thonë se çmimi i naftës është rritur deri në 25 lekë për litër, duke ndikuar drejtpërdrejt në tarifat e transportit. Rodolf Xhillari nga kompania “Balkan Trans Albania” shpjegon se nafta përbën 60–70 për qind të kostos totale të transportit, ndaj çdo rritje e saj reflektohet menjëherë në tarifat për klientët.
Para rritjes së çmimeve, transporti i mallrave nga Durrësi drejt Milanos kushtonte rreth 1500 deri në 1700 euro për kamion, ndërsa importet nga Milano drejt Durrësit arrinin rreth 2500 euro. Pas ndryshimeve të fundit, tarifat për eksport variojnë nga 1600 deri në 1800 euro për kamion, ndërsa për import mund të arrijnë deri në 2700 euro.
Transporti detar gjithashtu më i shtrenjtë
Rritje është regjistruar edhe në transportin detar, ku tarifat janë shtuar rreth 10 për qind. Artur Dedja nga kompania “Dedja Shipping” shpjegon se tensionet në rajon kanë krijuar pasiguri në treg dhe kanë shtyrë operatorët të sigurojnë furnizime me karburant me çmime më të larta.
Sipas tij, goditjet ndaj rafinerive dhe infrastruktures energjetike në rajon po shtojnë frikën për ndërprerje të furnizimit, duke krijuar luhatje të forta në tregjet e energjisë.
Shtrenjtimi pritet të reflektohet edhe në treg
Rritja e çmimeve të karburantit pritet të ndikojë së shpejti edhe tregun e brendshëm. Shoqata e Hidrokarbureve njofton se furnizimet e fundit me naftë janë bërë me rreth 900 dollarë për ton, nga 740 dollarë për ton që ishte më parë. Sipas tyre, brenda pak ditësh çmimi i naftës në tregun e pakicës mund të rritet me 15 deri në 20 lekë për litër.
Aktualisht, nafta në pikat e karburanteve shitet rreth 170–175 lekë për litër, ndërsa pritet të arrijë në 185–190 lekë për litër. Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës Brent është rritur në rreth 84–85 dollarë për fuçi, nga rreth 75 dollarë për fuçi pak ditë më parë.