Ministria e Ekonomisë jep me qira për 20 vite mbi 30 mijë m2 truall dhe ndërtesë në Durrës
Prona shtetërore do të përdoret për përpunim aktiv të mallrave, me qira minimale rreth 3.27 milionë lekë në muaj.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka shpallur procedurën për dhënien me qira, përmes konkurrimit, të një pasurie shtetërore në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për një truall me sipërfaqe 30,310.89 m² dhe një ndërtesë me sipërfaqe 685.3 m², të regjistruara në zonën kadastrale 8516.
Qira minimale 3.27 milionë lekë në muaj
Sipas shpalljes zyrtare, vlera dysheme e qirasë mujore për nisjen e konkurrimit është përcaktuar rreth 3.27 milionë lekë. Pasuria do të jepet për përdorim me qëllim përpunimin aktiv të mallrave, ndërsa afati i kontratës së qirasë është parashikuar të jetë 20 vjet.
Kriteret e vlerësimit
Procedura e konkurrimit do të zhvillohet më 10 mars 2026 në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Ofertat e paraqitura nga subjektet pjesëmarrëse do të vlerësohen mbi bazën e tre kritereve kryesore: niveli i investimit me 30 pikë, numri i vendeve të punës që do të krijohen me 40 pikë dhe tarifa mujore e qirasë me 30 pikë.
Dokumentacioni i kërkuar
Subjektet që synojnë të marrin pjesë në garë duhet të paraqesin një plan biznesi të detajuar, analizën e treguesve financiarë dhe dokumentacionin që vërteton përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe tatimore. Sipas njoftimit, mosparaqitja e dokumenteve të kërkuara ose mospërmbushja e kushteve të përcaktuara përbën shkak për skualifikim nga procedura e konkurrimit.