Bizneset sërish nuk aksesojnë Self Care, platforma vazhdon me probleme
Ekonomistët raportojnë dublikime faturash dhe vështirësi në shkarkimin e tyre, ndërsa sistemi vazhdon të krijojë probleme në administrimin e detyrimeve.
Bizneset në vend vazhdojnë të përballen me vështirësi në përdorimin e platformës SelfCare, sistemi përmes të cilit kryhen një sërë shërbimesh administrative online që menaxhohen nëpërmjet portalit e-Albania. Problemet me funksionimin e platformës nisën që në fillim të vitit 2026 dhe për disa ditë sistemi ishte plotësisht jashtë funksioni.
Vështirësi në rakordimin e faturave
SelfCare përdoret nga bizneset për rakordimin e faturave, fiskalizimin e faturave të importit, lëshimin e faturave për të vetëpunësuarit dhe një sërë shërbimesh të tjera financiare. Mosfunksionimi i platformës pengoi proceset e deklarimit të inventarëve dhe punën për mbylljen e bilanceve të vitit 2025. Shumë ekonomistë raportojnë se janë detyruar të punojnë edhe gjatë fundjavave për të përfituar nga momentet kur sistemi ishte funksional.
Dublikime dhe mungesë faturash në sistem
Edhe pse në javët e fundit platforma është bërë e aksesueshme, bizneset raportojnë probleme të vazhdueshme në shërbimet që ofron. Ekonomistët thonë se për muajin shkurt 2026 janë shfaqur dublikime faturash në sistem, ndërsa në raste të tjera faturat mungojnë ose regjistrohen në muaj të gabuar.
“Ka raste që fatura e krijuar për marsin shfaqet për shkurtin”, shprehen përdorues të platformës, ndërsa të tjerë raportojnë se, edhe kur faturat shfaqen në sistem, ato nuk mund të shkarkohen.
Presion ndaj ekonomistëve dhe bizneseve
Ekonomistët thonë se kanë bërë kërkesa për korrigjimin e gabimeve në sistem, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje apo reflektim të ndryshimeve. Situata ka krijuar presion të shtuar edhe nga ana e bizneseve, të cilat kërkojnë shpjegime për probleme që nuk janë në kontrollin e tyre.
Për shumë profesionistë të financës dhe kontabilitetit, funksionimi i paqëndrueshëm i SelfCare po e bën të vështirë menaxhimin e detyrimeve dhe raportimeve financiare të përditshme.