Para hapjes së IPARD III, qeveria ndryshon strukturën menaxhuese
Vendimi i ri përcakton drejtimin e strukturës nga drejtori i fondeve të BE-së në Ministrinë e Financave.
Qeveria ka miratuar ndryshime në strukturën menaxhuese të programit IPARD III, pak para hapjes së këtij programi që synon të mbështesë sektorin e bujqësisë me fonde nga Bashkimi Europian. Vendimi për ndryshimet është botuar në Fletoren Zyrtare dhe përcakton mënyrën e organizimit dhe drejtimit të strukturave përgjegjëse për menaxhimin indirekt të asistencës së BE-së në kuadër të programit të zhvillimit rural.
Ndryshon drejtimi i strukturës menaxhuese
Sipas vendimit të mëparshëm, struktura menaxhuese përbëhej nga organi kontabël dhe zyra mbështetëse e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (ZKA), të vendosura si struktura të veçanta në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nën përgjegjësinë e këtij autoriteti për zbatimin e programit IPARD III.
Me ndryshimin e ri, struktura vijon të përbëhet nga këto dy njësi, por përcaktohet se ajo do të drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i strukturës për menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian në ministrinë përgjegjëse për financat. Kjo strukturë do të vazhdojë të veprojë nën përgjegjësinë e ZKA-së dhe në përputhje me funksionet e përcaktuara në vendim, manualet e procedurave dhe rregulloren e brendshme të ministrisë.
Programi i pezulluar pas skandalit me IPARD II
Programi IPARD III parashikohej të hapej rreth dy vite më parë, por zbatimi i tij u pezullua pas problemeve të konstatuara në shpërndarjen e fondeve të IPARD II. Në gusht 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje serioze dhe dyshime për keqpërdorim fondesh, pas hetimeve të nisura mbi denoncime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike.
Hapja e programit të ri pritet të rikthejë mbështetjen financiare për sektorin bujqësor, ndërsa ndryshimet në strukturën menaxhuese synojnë forcimin e kontrollit dhe transparencës në administrimin e fondeve të Bashkimit Europian.