Pagat rrisin kostot e ndërtimit në tremujorin e katërt
Kostot e ndërtimit në Shqipëri vijojnë të rriten, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore po detyron kompanitë të rrisin pagat dhe të kërkojnë punonjës nga jashtë.
Kostot në sektorin e ndërtimit kanë vijuar të rriten edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, ndonëse me ritme më të moderuara. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti në 114.1, duke marrë si periudhë bazë tremujorin e katërt të vitit 2021.
Rritja vjetore e këtij indeksi në tremujorin e fundit të vitit 2025 ishte 1.2 për qind, e njëjta normë e regjistruar edhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ekspertëve të tregut, një nga faktorët kryesorë që po shtyn kostot në rritje mbetet mungesa e fuqisë punëtore në sektor, e cila ka detyruar kompanitë të rrisin pagat ose të punësojnë punëtorë të huaj, kryesisht nga Egjipti.
Pagat dhe makineritë shtyjnë kostot lart
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja më e madhe e kostove është shënuar në grupin “Shpenzime për paga”, me një rritje prej 6 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës. Pas tij renditen “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera”, që janë rritur secila me 1.8 për qind, si dhe “Shpenzime transporti”, me një rritje prej 1.6 për qind.
Në të kundërt, grupi i shpenzimeve për materiale ka shënuar një rënie me 0.9 për qind. Brenda këtij grupi, materialet e ndërtimit ranë me 1.1 për qind, ndërsa materialet hidro-sanitare dhe të ventilimit me 0.6 për qind dhe materialet elektrike dhe të komunikimit me 0.1 për qind.
Rritje e lehtë edhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi një rritje të lehtë prej 0.1 për qind. Edhe në këtë krahasim, rritja më e madhe u regjistrua te shpenzimet për paga me 1.4 për qind, ndërsa shpenzimet për makineri dhe kostot e tjera u rritën me nga 0.3 për qind secila. Shpenzimet e transportit u rritën me 0.1 për qind.
Në të kundërt, shpenzimet për materiale pësuan ulje me 0.5 për qind, të ndikuara kryesisht nga rënia e çmimeve të materialeve të ndërtimit, hidro-sanitare dhe elektrike.
Çmimet e apartamenteve vijojnë rritjen
Në të njëjtën kohë, tregu i pasurive të paluajtshme po vijon trendin e rritjes së çmimeve. Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 çmimet e banesave u rritën me 14.6 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 41.7 për qind krahasuar me vitin 2024.
Të dhënat nga indeksi “Keydata” tregojnë se deri në qershor 2025 çmimi mesatar për një metër katror apartament arriti në 1,830 euro, bazuar në çmimet e apartamenteve ekzistuese. Krahasuar me vitin 2005, kur nisën matjet e këtij treguesi, çmimet e banesave janë rritur rreth 2.8 herë, duke e bërë blerjen e një apartamenti gjithnjë e më të vështirë për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.