Secondary Adv

Shqipëria, me rritjen më të lartë të net-qëndrimeve në Europë edhe në 2025

Eurostat: net-qëndrimet turistike në Shqipëri u rritën me gati 30 për qind, shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Shqipëria vijon të shënojë rezultate të forta në turizëm edhe gjatë vitit 2025, duke regjistruar rritjen më të lartë të net-qëndrimeve në Europë. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, në vend u regjistruan gjithsej rreth 9.7 milionë net-qëndrime gjatë vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej afërsisht 30 për qind krahasuar me vitin 2024.

 

Kjo rritje është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila për vitin 2025 rezultoi vetëm 2.2 për qind. Shqipëria renditet kështu në krye të listës së vendeve europiane për rritjen e net-qëndrimeve turistike.

 

Të huajt shtyjnë rritjen e turizmit

Rritjen më të fortë e kanë shënuar turistët e huaj, net-qëndrimet e të cilëve u rritën me 36.4 për qind, duke përbërë zgjerimin më të lartë në Europë për këtë kategori. Edhe turistët vendas kontribuan në këtë trend pozitiv, me një rritje prej 14.5 për qind të net-qëndrimeve.

 

Në rajon, Mali i Zi – një nga konkurrentët kryesorë turistikë të Shqipërisë – shënoi një rënie të lehtë prej 0.2 për qind të net-qëndrimeve gjatë vitit 2025. Edhe Kroacia regjistroi një rritje modeste prej vetëm 1.2 për qind, ndërsa Italia shënoi një zgjerim më të moderuar prej 4.4 për qind.

 

Pas Shqipërisë, vendi me rritjen më të lartë të net-qëndrimeve ishte Malta, me një rritje prej 10.1 për qind.

 

Europa regjistron rekord të ri turistik

Sipas Eurostat, në të gjithë Bashkimin Europian viti 2025 shënoi një rekord të ri për net-qëndrimet turistike. Në total u regjistruan 3.09 miliardë net në strukturat e akomodimit turistik në BE, duke shënuar një rritje prej 2.2 për qind krahasuar me vitin 2024.

 

Në 24 nga 27 vendet e BE-së u regjistrua rritje e net-qëndrimeve gjatë vitit të kaluar. Spanja mbeti destinacioni me numrin më të madh të net-qëndrimeve, me rreth 514 milionë net, ndërsa rritjet më të mëdha në terma absolutë u regjistruan në Itali dhe Francë.

 

Në nivel europian, rritja prej 66.4 milionë netësh në vitin 2025 do të thotë se mesatarisht rreth 182 mijë turistë më shumë qëndronin çdo natë në strukturat e akomodimit në BE krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat