Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të karburanteve
Institucioni paralajmëron masa nëse çmimet e benzinës dhe naftës rriten më shpejt se në bursat ndërkombëtare.
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve në Shqipëri, me fokus të veçantë te çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë. Sipas institucionit, qëllimi i këtij procesi është të sigurohet që çmimet në tregun vendas të reflektojnë në mënyrë të drejtë zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe të parandalohet çdo praktikë e mundshme jo konkurruese.
Në njoftimin zyrtar thuhet se të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregtimin e karburanteve, si në shumicë ashtu edhe në pakicë, janë aktualisht nën monitorim. Autoriteti thekson se në rast se konstatohet se luhatjet e çmimeve në tregun vendas tejkalojnë ndryshimet që ndodhin në bursat ndërkombëtare, do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Kontroll për praktika jo konkurruese
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht në varësi të ofertës, kërkesës, kostove të përpunimit dhe zhvillimeve gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe çmimet në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet që regjistrohen në bursë.
Institucioni paralajmëron se çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje më të shpejtë ose më të theksuar të çmimeve në tregun vendas, mund të konsiderohet tregues i mundshëm i sjelljeve jo konkurruese, si koordinimi i çmimeve mes operatorëve apo abuzimi me pozitën dominuese në treg.
Rritje e çmimit të naftës në tregun vendas
Monitorimi vjen në një moment kur çmimi i naftës në disa pika karburanti në vend ka nisur të rritet. Në disa stacione të shitjes me pakicë çmimi është rritur me rreth 4 lekë për litër, duke arritur deri në 179 lekë nga 175 lekë që ishte më parë.
Rritja e çmimit vjen rreth pesë ditë pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të lëvizjes në ngushticën e Hormuzit, zhvillime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Sipas të dhënave nga tregjet europiane, çmimi i naftës është rritur në rreth 83 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë për fuçi që ishte një javë më parë. Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar se kjo rritje pritet të reflektohet gradualisht edhe në tregun vendas të karburanteve.