Secondary Adv

Investimet publike 2025, Shqipëria nuk përdori asnjë fond nga Plani i Rritjes i BE

Edhe pse ishte planifikuar financim nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, në vitin 2025 nuk u realizua asnjë investim nga ky burim.

Viti 2025 konfirmoi edhe një herë vështirësitë e Shqipërisë për të përthithur financimet e huaja për investime publike. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian nuk u përdorën fare gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se në buxhet ishte planifikuar një alokim prej 700 milionë lekësh.

 

Në statistikat fiskale, realizimi faktik për këtë zë rezultoi zero. Ndryshe nga investimet që financohen nga burimet e brendshme të qeverisë, fondet e Planit të Rritjes lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian.

 

Fondet varen nga zbatimi i reformave

Sipas mekanizmit të Planit të Rritjes, Shqipëria duhet të përmbushë një sërë hapash në fusha si sundimi i ligjit, prokurimet publike dhe reforma në administratë. Nëse këto objektiva nuk realizohen, fondet nuk disbursohen nga institucionet europiane.

 

Përveç kësaj, projektet që financohen nga Bashkimi Europian kërkojnë standarde të larta fizibiliteti dhe dokumentacioni teknik, të cilat shpesh institucionet shqiptare nuk arrijnë t’i përgatisin në kohë.

 

Vetëm një pjesë e vogël e fondeve është përdorur

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2025–2027 parashikon për Shqipërinë rreth 922.1 milionë euro në formën e granteve dhe huave me kushte të favorshme. Megjithatë, deri tani janë përfituar vetëm rreth 163.8 milionë euro, ose rreth 17.7 për qind e totalit të planifikuar.

Kjo do të thotë se rreth 758 milionë euro mbeten ende për t’u disbursuar gjatë viteve në vijim, në varësi të ecurisë së reformave dhe përmbushjes së kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

 

Dobësi edhe në investimet me financim të huaj

Të dhënat tregojnë gjithashtu se realizimi i investimeve të financuara nga burime të huaja ka qenë shumë më i ulët se plani. Për vitin 2025 ishin planifikuar rreth 36 miliardë lekë investime nga fondet e huaja, por u realizuan vetëm 20 miliardë lekë, ose rreth 44 për qind më pak se parashikimi.

 

Një nga rastet më të theksuara ishte sektori i energjisë, ku nga një plan investimi prej 2 miliardë lekësh nga financimi i huaj nuk u disbursua asnjë fond gjatë vitit.

 

Procedurat dhe shpronësimet pengojnë projektet

Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore për vonesat lidhet me procedurat e rrepta të prokurimit nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, BERZH dhe KfW. Çdo ankesë në tenderë apo vonesë në miratimin e dokumentacionit mund të shtyjë disbursimin e fondeve për vitin pasardhës.

Në disa raste projektet mbeten të bllokuara edhe për shkak të vonesave në procesin e shpronësimeve, duke bërë që donatorët të mos lëvrojnë këstet e planifikuara të financimit.

 

Megjithatë, investimet kapitale në total gjatë vitit 2025 arritën rreth 1.4 miliardë euro, me një rritje prej rreth 10 për qind krahasuar me vitin 2024, rritje që erdhi kryesisht nga financimi i brendshëm i qeverisë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat