Importet e karburanteve, cigareve dhe kafesë shënojnë rritje të fortë në 2025
Importet e mallrave të akcizës u rritën me norma dyshifrore gjatë vitit 2025, me karburantet, kafenë dhe cigaret që shënuan nivelet më të larta pas pandemisë, ndërsa birra pësoi rënie të lehtë pas pikut të vitit 2024.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se viti 2025 u karakterizua nga rritje e fortë e importeve të mallrave të akcizës, me përjashtim të birrës. Në fokus janë karburantet, kafeja dhe cigaret, të cilat arritën volume të larta të importit, duke reflektuar rritjen e konsumit dhe faktorë të tjerë si turizmi, transporti dhe formalizimi i tregut.
Karburantet: importet rriten 12.7% dhe arrijnë nivel rekord
Gjatë vitit 2025, sasia e naftës dhe benzinës e importuar arriti në 740,863 ton, niveli më i lartë historik. Krahasuar me vitin 2024, importet u zgjeruan me 83,300 ton, ose 12.7%. Ky rikuperim vjen pas luhatjeve të viteve të fundit, ku 2022 shënoi nivelin më të ulët me rreth 556,653 ton, ndërsa 2023 dhe 2024 sollën rritje graduale.
Rritja i atribuohet intensifikimit të lëvizjeve në transportin rrugor, zgjerimit të sektorit të ndërtimit, projekteve infrastrukturore dhe sezonit turistik. Një faktor shtesë është edhe rritja e numrit të automjeteve në qarkullim: në fund të vitit 2025 qarkullonin mbi 1 milion mjete rrugore, nga të cilat 847 mijë ishin autovetura.
Kafeja: rritje rekord e importeve me 18.2%
Edhe tregu i kafesë shënoi rritje të fortë në 2025. Sasia e kafesë së importuar kaloi 10.2 mijë ton, ose 18.2% më shumë se në 2024, duke arritur nivele historike. Rritja u shënua pavarësisht se çmimet në tregjet ndërkombëtare ishin në nivele të larta.
Ndikimin më të fortë e dha turizmi, që rriti kërkesën në sektorin e hoteleri-turizmit, ku kafeja mbetet një nga produktet më të konsumuara si nga vizitorët e huaj, ashtu edhe nga vendasit.
Cigaret: rritje 13.8%, niveli më i lartë në 5 vite
Importet e cigareve u rritën në mënyrë të ndjeshme në 2025, duke arritur në 3,636 ton, shifra më e lartë e regjistruar në pesë vitet e fundit. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje 13.8%, ose 442 ton cigare më shumë në terma absolutë.
Kjo rritje lidhet me dy faktorë kryesorë: fluksi i lartë i turistëve që rrit konsumin sezonal dhe forcimi i kontrolleve doganore e lufta ndaj informalitetit, që kanë orientuar një pjesë të konsumit nga tregu i zi drejt kanaleve zyrtare të importit, duke rritur pasqyrimin statistikor.
Birra: rënie rreth 4.6% pas vitit rekord 2024
Në të kundërt, importi i birrës shënoi një stabilizim me rënie rreth -4.6% në 2025, pas rritjes së fortë dhe pikut të vitit 2024. Megjithatë, importet e birrës mbeten ndjeshëm më të larta se në vitin 2021.
Në total, nga viti 2021 në 2025, importi i birrës është rritur me 13.6%. Kjo ecuri lidhet edhe me unifikimin e akcizës, që ka favorizuar produktet e importit kundrejt atyre vendase, duke rritur praninë e birrave të huaja në treg, sidomos gjatë sezonit veror.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






