Çmimet e importit u ulën me 0.5 për qind në tremujorin e fundit të 2025
Indeksi i çmimeve të importit shënoi një rënie vjetore prej 0.5 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2025, megjithëse në disa sektorë të veçantë u regjistruan rritje të çmimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Importit arriti në 107.4 pikë krahasuar me vitin bazë 2021. Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rënies së përgjithshme vjetore, luhatjet e kostove kanë qenë të ndryshme mes sektorëve të ekonomisë.
Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në prodhimin e duhanit, i cili u shtrenjtua me 1.3 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas tij renditet prodhimi i mobilieve me një rritje prej 1.2 për qind, ndërsa sektori i shtypshkrimit dhe rigrupimit të mediave shënoi një rritje prej 0.8 për qind.
Rritje e lehtë e çmimeve për ushqimet e importuara
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, industria përpunuese regjistroi një rritje të lehtë prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi, përpunimi i produkteve ushqimore shënoi rritjen më të madhe, me çmimet që u rritën me 0.9 për qind brenda vetëm tre muajve.
Gjithashtu, në të njëjtën periudhë u rritën edhe çmimet e mobilieve me 0.6 për qind dhe ato të pajisjeve elektrike me 0.5 për qind. Këto zhvillime tregojnë se, edhe pse indeksi i përgjithshëm shënoi rënie vjetore, disa kategori mallrash kanë përjetuar presion në rritje të kostove.
Energjia dhe industria nxjerrëse me rënie çmimesh
Rënia më e madhe vjetore e çmimeve të importit u regjistrua në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit, ku çmimet ranë me 4.1 për qind. Ulje u shënua edhe në sektorin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave me 0.8 për qind, si dhe në industrinë nxjerrëse me 0.5 për qind.
Industria përpunuese, e cila përbën rreth 94 për qind të totalit të importeve, shënoi një rënie të lehtë prej 0.3 për qind. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe u regjistrua te konfeksionimi i veshjeve me 1.5 për qind, pasuar nga metalurgjia me 1.1 për qind dhe prodhimi i kauçukut dhe plastikës me 1.0 për qind.
Gjithashtu, ulje çmimesh u vërejt edhe te përpunimi i tekstileve me 0.9 për qind dhe prodhimi i pijeve me 0.8 për qind. Megjithatë, sipas të dhënave nga tregu i brendshëm, kjo rënie e çmimeve të importit nuk është reflektuar plotësisht në çmimet përfundimtare për konsumatorët.