Secondary Adv

Buxheti me rritje 8.1 për qind në janar, kontribut kryesor lejet e ndërtimit nga pushteti vendor

Të ardhurat buxhetore në janar 2026 arritën në 69.8 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 8.1 për qind, ndërsa ndikimin kryesor e dhanë taksat vendore, sidomos ato nga lejet e ndërtimit.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale për muajin janar 2026 arritën në rreth 69.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ashtu si zakonisht në fillim të vitit, buxheti rezultoi me suficit, ndërsa shpenzimet publike për muajin e parë të vitit arritën në rreth 48.1 miliardë lekë.

 

Të dhënat e detajuara të përpunuara nga tabelat e Ministrisë së Financave tregojnë se rritja e të ardhurave është ndikuar kryesisht nga pushteti vendor. Në total, të ardhurat në buxhet u rritën me rreth 5.3 miliardë lekë, ku vetëm të ardhurat tatimore u zgjeruan me 6.9 miliardë lekë.

 

Pushteti vendor me ndikimin kryesor

Pjesa më e madhe e rritjes erdhi nga taksat lokale të mbledhura nga pushteti vendor, të cilat u zgjeruan me rreth 4.9 miliardë lekë, ose rreth 4.3 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas analizës së të dhënave, ndikimin kryesor e kanë pasur të ardhurat nga lejet e ndërtimit, që zakonisht sjellin volume të mëdha të ardhurash në buxhetet lokale.

 

Shuma e arkëtuar nga pushteti vendor në janar përbën një rekord historik, pasi në muajin e parë të viteve të mëparshme të ardhurat nga taksat vendore nuk i kalonin 1.4 deri në 1.5 miliardë lekë. Pa këtë kontribut nga pushteti vendor, rritja totale e të ardhurave buxhetore do të ishte vetëm rreth 1 për qind.

 

Kontribut edhe nga tatimet dhe doganat

Të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore dhe doganore arritën në 43.8 miliardë lekë në janar 2026, rreth 1.1 miliardë lekë ose 2.6 për qind më shumë se në janar 2025.

 

Të ardhurat nga TVSH në import arritën në 10.1 miliardë lekë, ndërsa akciza u realizua në 5.2 miliardë lekë, rreth 7 për qind më shumë se një vit më parë. Nga taksat doganore u arkëtuan 614 milionë lekë, ndërsa renta minerare në eksport arriti në 63 milionë lekë.

 

Nga administrata tatimore u mblodhën gjithsej 27.7 miliardë lekë, rreth 5.7 për qind më shumë se në janar 2025. Brenda këtij grupi, TVSH-ja neto në vend arriti në 12.3 miliardë lekë, tatimi mbi fitimin 3.4 miliardë lekë dhe tatimi mbi të ardhurat personale 7.6 miliardë lekë.

 

Shpenzimet publike nën plan

Të ardhurat nga fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në rreth 17 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e parë të vitit 2026 arritën në rreth 48.1 miliardë lekë, ose rreth 90 për qind të planit të periudhës. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, shpenzimet janë rritur me rreth 1.6 miliardë lekë, ose 3.4 për qind.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat