Secondary Adv

Kostot e prodhimit në vendnumëro, nuk ka presion mbi çmimet

Çmimet e prodhimit në ekonomi u rritën vetëm me 0.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2025, duke sinjalizuar presion të kufizuar mbi çmimet e konsumit në muajt në vijim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti në 129.6 pikë krahasuar me vitin bazë 2021. Ky tregues, që mat ndryshimet e kostove për bizneset përpara se produktet të arrijnë te konsumatori, tregon se kostot e prodhimit kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.

 

Megjithatë, disa sektorë të ekonomisë kanë përjetuar rritje më të ndjeshme të kostove. Industria përpunuese udhëhoqi rritjen me një shtim vjetor prej 0.5 për qind, ndërsa brenda këtij grupi rritja më e madhe u regjistrua në prodhimin e mobilieve me 1.5 për qind dhe në prodhimin e produkteve farmaceutike me 1.4 për qind.

 

Rritje e lehtë në tregun vendas

Të dhënat tregojnë se prodhuesit që furnizojnë tregun vendas janë përballur me një rritje mesatare të kostove prej 0.3 për qind në baza vjetore. Edhe në këtë rast, industria përpunuese ka pasur ndikimin kryesor, me një rritje prej 0.8 për qind të çmimeve për produktet që shiten në tregun e brendshëm.

 

Një rritje e lehtë u shënua edhe në sektorin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve, ku çmimet u rritën me 0.2 për qind.

 

Rënie e çmimeve për eksport

Në kontrast me tregun vendas, çmimet e prodhimit për eksport shënuan një rënie vjetore prej 0.4 për qind. Kjo ulje u ndikua kryesisht nga sektori i energjisë elektrike, gazit dhe avullit, ku çmimet ranë me 1.8 për qind.

 

Rënie të lehta u regjistruan gjithashtu në industrinë nxjerrëse dhe në disa degë të industrisë përpunuese, duke reflektuar kërkesë më të dobët ose ulje të kostove në këto segmente.

 

Lëvizje minimale në tremujorin e fundit

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit vetëm me 0.05 për qind, duke konfirmuar stabilitetin e kostove në ekonomi.

 

Në këtë periudhë tremujore rritja më e madhe u regjistrua sërish në industrinë përpunuese me 0.2 për qind, ndërsa sektorë të tjerë si metalurgjia dhe prodhimi i pajisjeve elektrike shënuan rënie çmimesh përkatësisht me 0.6 dhe 0.5 për qind.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat