Pagesat me këste të borxheve të energjisë, ja kategoritë që përfitojnë nga ulja e kamatës
Furnizuesi i Shërbimit Universal ka nisur zbatimin e skemave të reja për shlyerjen me këste të detyrimeve të energjisë elektrike, duke përfshirë edhe ulje të kamatëvonesave për disa kategori klientësh.

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e një pakete lehtësuese për klientët që kanë detyrime të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. Skema përfshin të gjitha kategoritë e klientëve dhe u mundëson atyre të shlyejnë borxhet me këste për faturat e krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Në fokus të veçantë janë kategoritë në nevojë, të cilave u jepet mundësia të lidhin aktmarrëveshje edhe për detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.
Kategoritë që përfitojnë nga pagesa me këste
Skema përfshin klientët familjarë që përfitojnë ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë. Këta klientë mund të shlyejnë detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2025 me këste mujore që nisin nga 1,200 lekë, me kusht që të mos kenë detyrime të reja të papaguara për vitin 2026.
Për klientët e tjerë familjarë, këstet mujore fillojnë nga 2,800 lekë për faturat e prapambetura deri në fund të vitit 2024, gjithashtu me kusht që të mos kenë krijuar detyrime të reja për periudhën 2025–2026.
Numri maksimal i kësteve është deri në 240 pagesa mujore, ndërsa klientët kanë të drejtë të zgjedhin edhe një këst më të lartë se minimumi për të përfunduar më shpejt shlyerjen e borxhit.
Skema për institucionet dhe bizneset
Për kategoritë buxhetore dhe jobuxhetore, skema parashikon përfshirjen e të gjithë detyrimit në një marrëveshje të vetme, ku numri i kësteve përcaktohet në varësi të vlerës së borxhit. Për detyrime nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë parashikohen deri në 24 këste, ndërsa për detyrime mbi 10 milionë lekë numri i kësteve mund të arrijë deri në 120.
Ndërkohë, për faturat korrektive, faturat përmbledhëse apo rastet e testimit dhe demontimit të matësit të energjisë është miratuar një skemë e veçantë që lejon shlyerjen deri në 24 këste.
Uljen më të madhe e përfiton biznesi i vogël
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin të shlyejnë detyrimin me një pagesë të vetme. Klientët familjarë përfitojnë ulje prej 70 për qind të kamatëvonesës, ndërsa klientët jofamiljarë përfitojnë ulje prej 50 për qind.
Biznesi i vogël përfiton falje të plotë të kamatëvonesës nëse paguan menjëherë të gjithë detyrimin e akumuluar.
Kushtet për përfitimin e skemës
Për të përfituar nga skemat lehtësuese, klientët duhet të kenë shlyer më parë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025 dhe në vijim. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kësti i parë duhet të paguhet brenda 7 ditëve kalendarike, ndërsa pagesat e tjera duhet të kryhen çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.
Sipas OSHEE Group, këto masa synojnë të ndihmojnë familjet dhe bizneset në përballimin e vështirësive financiare, duke forcuar njëkohësisht qëndrueshmërinë financiare të kompanisë dhe garantimin e shërbimeve energjetike në të ardhmen.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






