Izraeli publikon hartën se cilat vende mund të goditen nga raketat e Iranit
Ministria e Jashtme e Izraelit ka publikuar një hartë që tregon se deri në cilat vende mund të arrijnë raketat balistike iraniane, duke paralajmëruar për shtrirjen e kërcënimit përtej Lindjes së Mesme.
Tensionet mes Iranit nga njëra anë dhe Izraelit e Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër po përshkallëzohen, duke afruar konfliktin gjithnjë e më shumë drejt kufijve të Europës. Sipas raportimeve të fundit, edhe Qipro është goditur disa herë me raketa nga Irani, për shkak të pranisë së një baze ushtarake britanike në ishull që përdoret nga forcat perëndimore.
Situata është përshkallëzuar më tej këtë të mërkurë, kur NATO njoftoi se kishte neutralizuar një raketë që po drejtohej drejt Turqisë, pasi kishte kaluar përmes hapësirës ajrore të Irakut dhe Sirisë.
Sa larg mund të arrijnë raketat iraniane
Në një postim në rrjetin social X, Ministria e Jashtme e Izraelit publikoi një hartë që ilustron rrezen e mundshme të goditjes së raketave balistike iraniane. Sipas këtij publikimi, kapacitetet balistike të Iranit shtrihen përtej Lindjes së Mesme dhe mund të prekin edhe vende të tjera në rajonin euroaziatik.
“Aftësia balistike e Iranit shtrihet përtej Lindjes së Mesme. Regjimi i Ajatollahëve iranianë po kërcënon paqen botërore”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit.
Publikimi i kësaj harte vjen në një moment kur tensionet ushtarake në rajon janë rritur ndjeshëm dhe kur vendet perëndimore po monitorojnë nga afër zhvillimet, për shkak të rrezikut që konflikti të zgjerohet më tej.