Rivlerësimi në 60 bashki, AKSH përdor çmimet e referencës të 2016, vlerat e tregut nga ekspertët
Rivlerësimi i pasurive në 60 bashki po kryhet me çmimet e referencës të vitit 2016, ndërsa ekspertët përdorin vlerat aktuale të tregut.

Nëse një qytetar në rrethe dëshiron të shesë një apartament dhe synon të përfitojë nga tatimi i reduktuar në masën 5 për qind përmes procesit të rivlerësimit, mënyra e përllogaritjes së vlerës së pronës varet nga institucioni që kryen këtë procedurë. Sipas sqarimeve të Ministrisë së Financave, në rast se rivlerësimi kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, vlera e pronës llogaritet mbi bazën e çmimeve të referencës të miratuara në vitin 2016.
Ndërsa kur procesi kryhet nga një ekspert i licencuar i vlerësimit të pasurive të paluajtshme, llogaritja bëhet sipas çmimeve reale të tregut. Për këtë arsye, sipas ekspertëve të tregut imobiliar, përdorimi i çmimeve të referencës të vitit 2016 në 60 bashki të vendit e bën procesin e rivlerësimit përmes kadastrës më pak të leverdishëm, pasi këto vlera janë shumë më të ulëta se çmimet aktuale të tregut.
Përjashtimi i Tiranës nga referencat e vitit 2016
Situata është ndryshe për bashkinë e Tiranës. Në kryeqytet nuk përdoren më çmimet e referencës të vitit 2016, pasi ato u rishikuan në fund të korrikut të vitit 2023. Çmimet e reja filluan të zbatohen në fillim të gushtit të atij viti dhe janë ndarë në 32 zona kadastrale të ndryshme, duke reflektuar më mirë vlerat e tregut.
Edhe për procesin e rivlerësimit në Tiranë, kur procedura kryhet përmes Agjencisë së Kadastrës, përdoren këto çmime të përditësuara të vitit 2023, të cilat janë më të afërta me realitetin e tregut.
Në ndryshim nga Tirana, për 60 bashkitë e tjera në vend çmimet e referencës të miratuara në vitin 2016 vazhdojnë të jenë të pandryshuara dhe për secilin qytet ekziston vetëm një çmim referencë, pa ndarje sipas zonave apo reflektim të çmimeve aktuale të shitblerjes.
Propozimi për çmime të reja deri në 200 për qind më të larta
Ministria e Financave ka propozuar një hartë të re çmimesh referuese për rrethet, me rritje që në disa zona arrijnë deri në 200 për qind, veçanërisht në zonat pranë portit të Durrësit. Megjithatë, ky projektvendim nuk është miratuar ende nga Këshilli i Ministrave.
Kjo do të thotë se nëse një qytetar shet një pronë në këto zona dhe kërkon të përfitojë nga tatimi 5 për qind përmes rivlerësimit sipas çmimeve të referencës, vlera e pronës do të llogaritet ende sipas referencës së vitit 2016. Për shembull, për disa zona të Durrësit çmimi referencë mbetet rreth 75 mijë lekë për metër katror, edhe pse vlerat reale të tregut janë shumë më të larta.
Çmimet e referencës përdoren jo vetëm për procesin e shitblerjes së pronave, por edhe për llogaritjen e taksës së ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Për rrjedhojë, çdo ndryshim i tyre mund të ndikojë drejtpërdrejt si te qytetarët ashtu edhe te ndërtuesit e projekteve të reja.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se çmimet e reja të referencës për rrethet nuk janëmiratuar ende, pasi procesi i përditësimit të tyre po vazhdon me mbledhjen e të dhënave të reja nga tregu.
Si do të ndryshonte harta e çmimeve të referencës
Projektvendimi i ri parashikon që rrethet të ndahen në 176 zona kadastrale nga vetëm 62 që janë aktualisht, duke përfshirë për herë të parë edhe fshatrat si zona të veçanta me çmime të diferencuara. Aktualisht për fshatrat përdoret çmimi i qytetit përkatës i reduktuar me 35 për qind.
Për shembull, në Durrës çmimi referencë aktual është rreth 67,500 lekë për metër katror. Në draftin e ri të publikuar për konsultim publik në korrik 2025 është propozuar ndarja e qytetit në 13 zona kadastrale, me çmime që variojnë nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror. Vlera më e lartë është parashikuar për zonën e portit, ku po zhvillohet projekti “Durrës Yachts Marina”.
Në këtë draft janë propozuar çmime të veçanta edhe për zona turistike si vija e parë e ndërtimit në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj, me rreth 190 mijë lekë për metër katror. Në Himarë, për fshatra si Dhërmi dhe Palasë referenca e propozuar arrin 140 mijë lekë për metër katror, ndërsa në Vuno 100 mijë lekë dhe në Livadh rreth 81 mijë lekë.
Në Sarandë zona më e shtrenjtë pritet të jetë Ksamil, me referencë 100 mijë lekë për metër katror. Ndërsa në bashkinë e Vlorës zonat bregdetare të Radhimës dhe Orikumit parashikohen me rreth 90 mijë lekë për metër katror. Në Velipojë referenca propozohet rreth 75 mijë lekë për metër katror dhe në Tale të Lezhës rreth 70 mijë lekë.
Si përcaktohet vlera e tregut nga ekspertët
Në rast se qytetari zgjedh rivlerësimin përmes një eksperti të licencuar, në platformën e-Albania duhet të ngarkohet një raport vlerësimi i përgatitur nga ky ekspert. Në këtë rast baza e tatueshme llogaritet si diferenca mes vlerës së pasqyruar në raportin e vlerësimit dhe vlerës së zbritshme.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, vlera e përcaktuar nga eksperti nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal. Ekspertët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se për të përcaktuar vlerën e tregut përdorin metodën krahasuese, duke analizuar çmimet e shitblerjeve në terren dhe ofertat e publikuara nga agjencitë imobiliare.
Tarifat për këtë shërbim në rrethe variojnë nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë për rivlerësimin e apartamenteve, ndërsa për njësitë tregtare çmimi i shërbimit shkon nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë. Nëse procesi kryhet përmes Agjencisë së Kadastrës, tarifa e shërbimit është vetëm 3,500 lekë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






