Secondary Adv

Qeveria injekton 10 milionë euro kapital te Banka Shqiptare e Zhvillimit këtë vit

Qeveria do të injektojë rreth 1 miliard lekë kapital në Bankën Shqiptare të Zhvillimit gjatë vitit 2026.

Ministria e Financave ka parashikuar këtë shumë në buxhetin e vitit 2026 si këstin e parë të kapitalit për bankën, e cila u themelua në fund të vitit 2025 dhe pritet të nisë operimet gjatë këtij viti. Banka është në pronësi 100 për qind të shtetit dhe synon të financojë projekte strategjike, startup-e dhe investime infrastrukturore që kanë më pak akses në financim nga bankat tregtare. Shuma prej 1 miliard lekësh është pjesë e kapitalit të përgjithshëm të planifikuar prej 10 miliardë lekësh.

 

Burimet e financimit dhe funksionet

Përveç kapitalit nga buxheti i shtetit, Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të sigurojë financime nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Bashkimi Europian, si dhe të emetojë obligacione. Një nga funksionet kryesore do të jetë ofrimi i garancive kreditore, duke marrë përsipër një pjesë të rrezikut për kreditë që bizneset marrin nga bankat private.

 

Banka do të mbështesë gjithashtu startup-et dhe projektet inovative përmes linjave të kreditimit me interesa më të buta. Një tjetër rol i saj do të jetë ndihma për eksportuesit shqiptarë përmes instrumenteve që i mbrojnë nga rreziqet e mospagesës nga blerësit e huaj.

 

Statusi dhe mbikëqyrja

Sipas ligjit për krijimin e saj, banka nuk licencohet si një bankë e zakonshme nga Banka e Shqipërisë, por funksionon si një institucion publik me status të veçantë. Megjithatë, Banka e Shqipërisë do të ketë rol mbikëqyrës për të garantuar që aktiviteti i saj të mos krijojë rreziqe për stabilitetin financiar.

 

Rezervat e FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për rreziqet fiskale që mund të krijohen nëse banka nuk menaxhohet me transparencë dhe profesionalizëm. Sipas FMN-së, ekziston rreziku që institucioni të kthehet në barrë për buxhetin nëse kreditë rezultojnë problematike ose nëse vendimmarrja ndikohet nga faktorë politikë.

 

Banka drejtohet nga administratori Silvio Pedrazzi me mandat trevjeçar, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga Daniel Demeulenaere, Artur Asllani, Arben Shkodra, Irida Huta dhe Eris Hysi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat