Secondary Adv

Europa përballet me kërcënimin e një krize të re energjetike

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka rritur ndjeshëm çmimet e gazit në Europë, duke ringjallur frikën për një krizë të re energjetike.

Ndërprerjet në transportin detar në Ngushticën e Hormuzit dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajon kanë shtuar tensionet në tregjet globale. Sulmet ndaj Katarit, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm, detyruan ndërprerjen e prodhimit dhe çuan në një rritje të çmimeve të gazit në Europë me rreth 53 për qind brenda pak ditësh.

 

Ekspertët paralajmërojnë se kontinenti rrezikon të përballet me një krizë të re energjetike, ndërsa Europa sapo kishte filluar të rimëkëmbej nga goditjet e krizës së viteve të fundit.

 

Konkurrencë më e fortë për furnizimet me gaz

Tensionet kanë rritur konkurrencën globale për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm. Një tanker LNG që ishte nisur drejt Francës ndryshoi drejtim dhe u orientua drejt Azisë, duke treguar se ekonomitë aziatike po garojnë më fort për të siguruar furnizimet.

 

Situata komplikohet edhe më shumë nga rezervat e ulëta të gazit në Europë pas një dimri të ftohtë. Depozitat në të gjithë Bashkimin Europian janë më pak se 30 për qind të mbushura, shumë më poshtë se mesatarja pesëvjeçare për këtë periudhë.

 

Ekspertët paralajmërojnë se rimbushja e rezervave për dimrin e ardhshëm do të jetë më e kushtueshme nëse çmimet mbeten në këto nivele.

 

Rreziku për inflacionin dhe ekonominë

Rritja e çmimeve të energjisë mund të shtojë presionin inflacionist dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike në Eurozonë. Vendet si Gjermania dhe Italia, që varen më shumë nga importet e LNG-së, konsiderohen më të ekspozuara.

 

Kryeekonomisti i Bankës Qendrore Europiane, Philip Lane, ka paralajmëruar se një konflikt i zgjatur në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë rritje të fortë të inflacionit të lidhur me energjinë dhe ulje të prodhimit ekonomik.

 

Masat që mund të marrë Europa

Qeveritë europiane po shqyrtojnë disa alternativa për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë. Një prej tyre është përdorimi i përkohshëm i qymyrit në disa centrale energjitike, siç ndodhi gjatë krizës së vitit 2022.

 

Një faktor stabilizues mund të jetë edhe rikthimi i plotë në funksion i flotës bërthamore të Francës, ndërsa disa qeveri kanë propozuar masa për uljen e faturave të energjisë dhe më shumë fleksibilitet në rregullat e ndihmës shtetërore.

 

Zyrtarët europianë theksojnë se zgjidhja afatgjatë mbetet ulja e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe investimi në energji më të pastra dhe infrastrukturë energjetike më të fortë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat