Secondary Adv

Kredia konsumatore u rrit për të pestin vit radhazi në 2025

Huamarrja e shqiptarëve për konsum arriti rekord të ri në vitin 2025, duke u rritur për të pestin vit radhazi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re konsumatore gjatë vitit të kaluar arriti në 56 miliardë lekë, ose rreth 572 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, kjo kredi u rrit me 18.6 për qind.

 

Kredia konsumatore zakonisht ndjek ecurinë e konsumit në ekonomi. Rritja e saj është mbështetur nga aktiviteti ekonomik, turizmi, si dhe nga përmirësimi i tregut të punës, me papunësi të ulët dhe rritje të pagave.

 

Kredia kryesisht në lekë

Pjesa më e madhe e kredisë konsumatore është dhënë në monedhën vendase. Rreth 88 për qind e kredive të reja të vitit 2025 janë dhënë në lekë.

 

Huadhënia është shpërndarë si për mallra të qëndrueshme, si pajisje elektronike, mobilje apo automjete, ashtu edhe për mallra të konsumit të përditshëm.

 

Portofoli i kredisë mbi 1 miliard euro

Në fund të vitit 2025, portofoli total i kredisë konsumatore arriti në 107.6 miliardë lekë, ose rreth 1.11 miliardë euro, me rritje vjetore prej 22 për qind.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 57.5 për qind e këtijportofoli lidhet me financimin e mallrave jo të qëndrueshme, ndërsa 34 për qind me mallra të qëndrueshme. Rreth 9 për qind përbëhet nga overdrafte të individëve.

 

Rritja e kredisë konsumatore, së bashku me kreditë për banesa, ka mbështetur zgjerimin e huadhënies për individët, e favorizuar nga normat relativisht të ulëta të interesit dhe nga gjendja e mirë e ekonomisë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat