Qeveria miraton rregulla të reja për kreditë e pakthyera që mbulohen me garanci shtetërore
Qeveria ka miratuar rregullat se si do të veprohet me kreditë që janë marrë me garanci shtetërore dhe që nuk janë shlyer.
Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave përcakton hapat që do të ndiqen për rikuperimin e këtyre borxheve dhe për trajtimin e pasurive të huamarrësve që kanë mbetur pa u paguar.
Sipas VKM-së, procesi do të ndiqet nga Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera. Procedurat nisin në momentin kur Ministria e Financave paguan garancinë shtetërore në vend të huamarrësit ndaj bankës ose kur konstatohet se ekziston një detyrim i pashlyer ndaj shtetit.
Pas kësaj, Agjencia i dërgon huamarrësit një njoftim për shlyerjen e borxhit dhe verifikon gjendjen e tij financiare. Në këtë fazë kontrollohen të ardhurat dhe mundësia reale e pagesës së detyrimit.
Në rast se rezulton se debitori ka mundësi pagese, Agjencia mund të kërkojë bllokimin e llogarive bankare dhe sekuestrimin e shumave për të rikuperuar detyrimin që është paguar nga shteti.
Në rastet kur borxhi nuk shlyhet, procedura kalon në gjykatë dhe më pas ndiqet me përmbarim deri në shlyerjen përfundimtare të detyrimit ndaj Ministrisë së Financave. Të gjitha paratë që rikuperohen kalojnë direkt në llogarinë e thesarit të shtetit.
Vendimi përcakton gjithashtu mënyrën si do të menaxhohen garancitë sovrane. Bankat e nivelit të dytë duhet të raportojnë çdo muaj për gjendjen e tyre, ndërsa Agjencia verifikon çdo kërkesë për pagesë përpara se ajo të miratohet nga Ministria e Financave.
Në rast se huamarrësit vazhdojnë të mos paguajnë detyrimet, pasuritë e lëna si garanci, por edhe pasuri të tjera të debitorëve, mund të kalojnë në pronësi të Agjencisë nëpërmjet procedurave përmbarimore.
Këto pasuri më pas administrohen nga Agjencia dhe mund të shiten përmes ankandit publik sipas rregullave për shitjen e pronës shtetërore. Paratë e mbledhura nga shitja e tyre derdhen në buxhetin e shtetit për të mbuluar borxhin.
Vendimi shfuqizon edhe një vendim të vitit 2009 që rregullonte trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror te Agjencia e Trajtimit të Kredive.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, ndërsa ai hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.