Secondary Adv

Efektet e turizmit, çdo euro e turistëve gjeneron deri në 2.8 euro në ekonominë shqiptare

Shpenzimet e turistëve në Shqipëri shumëfishohen në ekonomi, duke gjeneruar deri në 2.8 euro për çdo euro të shpenzuar.

Sipas një analize të publikuar nga ALTAX, rreth 5.5 miliardë euro shpenzime direkte të turistëve në vitin 2025 përkthehen në një ndikim total prej 14.3 deri në 15.4 miliardë euro në ekonomi. Ky efekt shumëfishues vlerësohet 2.6 deri në 2.8 herë, pasi shpenzimet e turistëve krijojnë një zinxhir ndikimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

 

Në total, turizmi vlerësohet të kontribuojë me rreth 26–28 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe të mbështesë 274 mijë deri në 278 mijë vende pune direkte.

 

Si shpërndahet ndikimi në ekonomi

Rreth 35–38 për qind e ndikimit ekonomik lidhet me efektet direkte, si shpenzimet në hotele, restorante, transport dhe aktivitete turistike.

 

Efektet indirekte përbëjnë 32–35 për qind të ndikimit total, duke përfshirë furnizimin me produkte bujqësore, energji, mobilje dhe shërbime të tjera për industrinë turistike. Ndërsa 28–32 për qind e ndikimit vjen nga efekti i induktuar, që lidhet me shpenzimet e punonjësve të sektorit të turizmit dhe sektorëve të lidhur.

 

Sektorët që përfitojnë më shumë

Sektorët që përfitojnë më shumë nga ky efekt zinxhir janë bujqësia, tregtia dhe ndërtimi. Bujqësia dhe peshkimi përthithin rreth 18–22 për qind të efekteve indirekte dhe të induktuara, ndërsa tregtia dhe shërbimet përfitojnë rreth 20–24 për qind.

 

Ndërtimi dhe industria e mobiljeve përfitojnë rreth 12–15 për qind të këtij ndikimi, kryesisht përmes investimeve në hotele dhe infrastrukturë turistike.

 

Sfida: varësia nga importet

Analiza evidenton se rreth 35–42 për qind e shpenzimeve turistike përfundojnë jashtë vendit për produkte të importuara, duke përfaqësuar 3.1 deri në 3.9 miliardë euro.

Pjesa më e madhe e kësaj rrjedhjeje lidhet me ushqimet dhe pijet, të ndjekura nga mobiljet për hoteleri, karburantet dhe produktet tekstile.

 

Sipas ALTAX, rritja e përdorimit të prodhimit vendas dhe lidhjet direkte mes fermerëve dhe industrisë turistike mund të rrisin multiplikatorin ekonomik deri në 3.0–3.2 herë, duke shtuar deri në 4 miliardë euro në vit në ekonomi.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat