Secondary Adv

Gjelbërimi urban në Shqipëri nën normat e rekomanduara nga OBSH

Hapësirat e gjelbra në qytetet shqiptare janë ende nën normat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit.

Sipas një studimi mbi ekosistemet urbane në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria paraqet një situatë kontradiktore. Në nivel kombëtar, përqindja e gjelbërimit në ekosistemet urbane vlerësohet rreth 70–80 për qind, kryesisht për shkak se një pjesë e madhe e territorit mbetet ende natyror ose rural.

 

Megjithatë, në qytetet e mëdha dhe zonat më të urbanizuara niveli i gjelbërimit bie ndjeshëm, duke u luhatur rreth 40–50 për qind. Sipas studimit, kjo diferencë tregon se mesatarja kombëtare shpesh fsheh realitetin e qendrave urbane, ku ndërtimet intensive dhe zgjerimi i infrastrukturës kanë reduktuar hapësirat e gjelbra.

 

Ndikimi në mjedis dhe shëndet

Ekspertët theksojnë se gjelbërimi urban është thelbësor për cilësinë e jetës në qytete. Hapësirat e gjelbra ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, uljen e temperaturave urbane dhe rritjen e mirëqenies së banorëve. Në disa qytete shqiptare ndotja e ajrit mbetet mbi normat e rekomanduara dhe mungesa e hapësirave të gjelbra e përkeqëson këtë situatë.

 

Masat e rekomanduara

Studimi rekomandon rritjen e sipërfaqeve të gjelbra në qytete përmes krijimit të parqeve dhe korridoreve ekologjike, mbjelljes së pemëve përgjatë rrugëve urbane dhe integrimit të gjelbërimit në projektet e reja të zhvillimit urban.

 

Sipas ekspertëve, vetëm përmes planifikimit të qëndrueshëm dhe politikave të qarta për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra qytetet shqiptare mund të afrohen me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe të ofrojnë një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët.

 

Burimi: Ora News


Më të lexuarat