Secondary Adv

Inflacioni rritet në shkurt, arrin nivelin më të lartë në shtatë muaj

Inflacioni në Shqipëri u rrit në 2.5 për qind në shkurt 2026, niveli më i lartë i regjistruar në shtatë muajt e fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni u rrit nga 2.3 për qind që ishte në janar dhe është më i lartë edhe krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, kur ishte 1.9 për qind.

 

Grupet që ndikuan më shumë në rritjen e çmimeve

Rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, i cili shënoi një rritje vjetore prej 5.3 për qind dhe dha kontributin më të madh në inflacion.

 

Rritje të ndjeshme u regjistruan edhe në grupet “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3 për qind, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2 për qind dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2.4 për qind. Ndërkohë çmimet e “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” u rritën me 1.7 për qind dhe dhanë një kontribut prej 0.60 pikë përqindje në inflacionin total.

 

Rreziqet për muajt në vijim

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të rikthehet pranë objektivit prej 3 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Megjithatë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme mund të krijojnë presione të reja inflacioniste në muajt e ardhshëm.

 

Në këtë situatë, projeksionet për inflacionin mund të rishikohen dhe politika monetare mund të përshtatet. Aktualisht norma bazë e interesit në Shqipëri është në nivelin 2.5 për qind.

 

Burimi: INSTAT


Më të lexuarat