Secondary Adv

Çmimi i hekurit mund të rritet deri në 40 për qind, paralajmërohet shtrenjtim i apartamenteve

Rritja e kostove të materialeve të ndërtimit, veçanërisht e hekurit, pritet të rrisë më tej çmimet e apartamenteve në Shqipëri.

Sipas Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, tensionet në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve kanë nisur të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në sektorin e ndërtimit.

 

Drejtori ekzekutiv i shoqatës, Erjon Harizi, deklaroi se vetëm në dy javët e fundit çmimi i hekurit është rritur me rreth 5 për qind në javë dhe nëse kjo tendencë vazhdon, ai mund të shtrenjtohet deri në 40 për qind krahasuar me nivelet aktuale.

 

Rritje edhe për materiale të tjera

Sipas ndërtuesve, rritja e kostove nuk prek vetëm hekurin. Çmimet e naftës janë rritur me rreth 15–20 për qind në dy javët e fundit, ndërsa duralumini dhe materialet plastike janë shtrenjtuar me rreth 5–8 për qind. Në këtë situatë pritet që të rriten edhe kostot për materiale të tjera të ndërtimit, si çimentoja, betoni dhe shërbimet e punës.

 

Ndikimi në tregun e apartamenteve

Sipas përfaqësuesve të sektorit, rritja e çmimeve të materialeve ndikon drejtpërdrejt në koston e ndërtimit për metër katror. Kjo pritet të reflektohet në rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe të njësive tregtare në tregun imobiliar, megjithëse çmimi final do të përcaktohet nga balanca mes kërkesës dhe ofertës.

 

Ekspertët paralajmërojnë se nëse trendi i rritjes së kostove vazhdon, tregu i pasurive të paluajtshme mund të përballet me një valë të re shtrenjtimi në muajt e ardhshëm.

 

Burimi: TV Scan


Më të lexuarat