Koncesionari i Rrugës së Kombit arkëtoi 77 për qind më shumë se pritshmëritë më 2024
Kompania koncesionare që mirëmban Rrugën e Kombit realizoi të ardhura shumë më të larta se projeksionet në kontratë gjatë vitit 2024.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave për koncesionet, Albania Highway Concession Company arkëtoi rreth 2.6 miliardë lekë nga tarifa e rrugës Milot–Morinë në vitin 2024, ndërsa në kontratë të ardhurat e parashikuara ishin rreth 1.47 miliardë lekë.
Kjo do të thotë se të ardhurat reale ishin rreth 77 për qind më të larta se pritshmëritë fillestare.
Rritje e fortë e trafikut
Sipas të dhënave zyrtare, rritja e të ardhurave ka nisur që nga viti 2019, kur arkëtimet kaluan për herë të parë mbi parashikimet e kontratës.
Pavarësisht një rënieje të përkohshme gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë, të ardhurat mbetën mbi nivelet e projektuar dhe më pas vijuan rritjen në vitet 2021–2024, duke kaluar mbi 2 miliardë lekë në vit.
Si ndahen të ardhurat
Kontrata parashikon një prag minimal të ardhurash nga trafiku. Nëse ky prag tejkalohet, të ardhurat shtesë ndahen mes koncesionarit dhe autoritetit kontraktor.
Në vitin 2024, nga rreth 1.3 miliardë lekë të ardhura mbi pragun e kontratës, 40 për qind ose rreth 452 milionë lekë i kalojnë shtetit, ndërsa 60 për qind ose rreth 678 milionë lekë i mbeten koncesionarit.
Kontrata gjithnjë e më fitimprurëse
Rritja e vazhdueshme e trafikut e ka bërë këtë kontratë një nga projektet PPP më fitimprurëse në vend, me të ardhura që rriten çdo vit përtej projeksioneve fillestare.
Megjithatë, për përdoruesit e rrugës kjo nënkupton një barrë më të lartë pagesash krahasuar me skenarin fillestar të parashikuar në modelin ekonomik të projektit.